Është arrestuar edhe personi i dytë në lidhje me rastin në Prizren ku dyshohet se një 26 vjeçar është therur e më pas u hedh nga një veturë.
Lidhur me rastin, policia njofton se i arrestuari dyshohet se nuk ka ndihmuar viktimën dhe po ashtu nuk e ka lajmëruar rastin.
“Njësiti i hetimeve rajonale të policisë në Prizren me datën 08.07.2024, përmes rrugëve operative ka arritur që të lokalizon dhe arreston të dyshuarin: H.B (viti i lindjes 1995), mashkull kosovar shqiptar)”, thuhet në njoftim.
Policia sqaron se arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjtit ka qenë i përfshirë në një rast “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Mosdhënia e ndihmës” si dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryeseve të tyre”, rast i ndodhur më datën 06.07.2024, në lagjen Bazhderana në Prizren.
Tutje, policia thotë se i dyshuari është shoqëruar ne SRH-Prizren, ku në prani të avokatit mbrojtës është intervistuar.
“I dyshuari, ka qenë në dijeni për veprën penale si dhe kryerësin e veprës penale, i njëjti nuk e ka lajmëruar veprën penale si dhe kryesin e saj, po ashtu nuk i ka ofruar ndihme viktimës. Në lidhje me rastin në cilësinë e provave materiale është sekuestruar një automjet me targa vendore, pronë e të dyshuarit H.B”, bën të ditur policia.
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka udhëzuar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë.
Ndërkaq i arrestuari i parë është shtetas turk.