Qeveria e Shqipërisë u ka kërkuar të martën autoriteteve gjyqësore në Kinë ta shmangin dënimin me vdekje në rastin penal ndaj një shtetasi shqiptar të akuzuar për trafikim të drogës.
Mësohet se Prokuroria në qytetin Guangzhou, në provincën Guangdong, ka kërkuar dënim me vdekje për 36-vjeçarin shqiptar. Nuk janë dhënë hollësi të tjera për këtë rast.
Për rastin e 26-vjeçarit u diskutua të martën në Tiranë gjatë takimit që ministri për Evropë dhe Punët të Jashtme, Igli Hasani zhvilloi me të dërguarin e posaçëm të Qeverisë kineze për Çështjet Evropiane, Ëu Hongbo.
“Në takim u theksua ndjeshmëria e lartë që ka për Qeverinë shqiptare dhe opinionin publik, gjykimi që po zhvillohet në Gjykatën Popullore të Nivelit të Mesëm në qytetin e Guangzhou, në ngarkim të shtetasit shqiptar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë për Punët e Jashtme të Shqipërisë.
Më tej theksohet se u kërkua respektimi të gjithë të drejtave të shtetasit shqiptar në të gjitha shkallët e procesit gjyqësor.
“Pala shqiptare i kërkoi autoriteteve kineze të shmanget aplikimi i dënimit kapital,” thuhet në njoftim.
Kjo kërkesë i është përcjellë me herët edhe ministrit të Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës, përmes një letre zyrtare. Ministria thekson se do të vazhdojë ta ndjekë me prioritet këtë çështje.
Kina, njëri prej vendeve me numrin më të madh të të ekzekutuarve në botë, shpesh kryen dënimet me vdekje përmes injeksionit vdekjeprurës, për krime shumë të rënda.
Sistemi ligjor në Kinë kontrollohet nga Partia Komuniste në pushtet dhe gjykatat kanë një shkallë pothuajse 100 për qind të dënimeve në rastet penale.
Njëlloj sikur shumë vende në rajon, Kina ka ligje të rrepta kundër drogës. Disa shtetas të huaj janë dënuar me vdekje për trafikim të drogës në vitet e fundit./REL