Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për ndalimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, që ishte paraparë të niste më 27 qershor në Beograd të Serbisë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se BE-ja mbështet këtë festival përmes programit ‘Evropa Kreative’ dhe vlerëson rolin e tij në përmirësimin e bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Serbisë.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë urdhëroi ndalimin e festivalit me arsyetim se ka shqetësime të sigurisë, pasi grupe të djathtistëve dhe tifozëve bllokuan hyrjen në zonën ku pritej të mbahet.
Organizatorët e festivalit janë shprehur kritikisht ndaj vendimit të autoriteteve serbe, e cila sipas tyre, e rreshtoi shtetin me huliganët.
Festivali, i cili zhvillohet prej vitit 2014 në Kosovë dhe Serbi, synon të përmirësojë bashkëpunimin kulturor mes dy vendeve.
Zëdhënësi i BE-së theksoi se politizimi i nismave kulturore nga shoqëria civile është i shqetësueshëm dhe vendet duhet të ofrojnë kushte të sigurta për ngjarjet kulturore sipas standardeve të të drejtave të njeriut.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar më herët se ndalimi i festivalit nga autoritetet serbe tregon armiqësinë e tyre ndaj paqes dhe pajtimit.