Mark Rutte zgjedhet sekretar i përgjithshëm i NATO-s. I njohur si një mbështetës i Ukrainës në luftën me Rusinë, 57-vjeçari kishte përkrahjen e anëtarëve të mëdhenj të aleancës si Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca e Britania e Madhe.
Emërimi i tij zyrtar u bë pasi mbeti si kandidat i vetëm potencial, pas heqjes dorë nga kandidimi i presidentit rumun Klaus Iohannis, javën e kaluar.
Hungaria ishte një ndër aleatët skeptikë për kandidaturën e tij, por kryeministri hungarez Viktor Orban i premtoi sekretarit në largim Jens Stoltenberg, në një takim më herët gjatë këtij muaji, se nuk do e bllokonte zgjedhjen e Mark Rutte si pasardhës të tij.
Në këmbim, Hungaria mori garanci se nuk do të detyrohej të përfshihej në planet e aleancës për të ndihmuar ushtarakisht dhe financiarisht Ukrainën në luftën kundër rusëve, ndërsa Orban njihet si ndër të paktët miq të Putinit brenda NATO-s.
Gjithashtu Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka uruar Mark Rutte për marrjen e postit të shefit të Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s.
Ajo ka thënë se mezi pret të punojnë së bashku për të avancuar anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Urime mikut tonë të dashur Mark Rutte që u zgjodh si i ri Sekretar i përgjithshëm i NATO-s. Përvoja, lidershipi dhe njohuritë e tij do të jenë të paçmueshme për Aleancën! Gjatë viteve, ne kemi punuar së bashku për shumë çështje të rëndësishme dhe nuk kam dyshim se bashkëpunimi ynë i fortë do të vazhdojë derisa ai të marrë këtë përgjegjësi të re. Mezi pres të punojmë së bashku për të avancuar anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe të punojmë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në të gjithë kontinentin tonë dhe më gjerë.”, ka shkruar Osmani në X.
Mark Rutte është kryeministri më jetëgjatë i Holandës dhe pret largimin nga ky post pas gati 14 vitesh, pasi Partia Popullore ku ai bën pjesë humbi zgjedhjet e 2023-shit.