Prej vitit 2011, Abdurrahman Konjufca, përballet me gjykatat vendore dhe rasti pritet të shkojë deri në Strasburg.
Borxhi i mbetur i Abdurrahman Konjufcës ndaj bankave dhe subjekteve është kalkuluar në 7 milionë e gjysëm euro të cilat janë llogaritur shumë më herët se të godet inflacioni këtë valutë në raport me dollarin amerikan.
Po kaq mjete të mbetura borxh, qe 11 vjet, ja marrin gjumin një eksperti të madh bujqësor, i cili nga zeroja me mund e djersë rihapi fermën e pulave në Lipjan dhe aktivizojë tre rezervate të mëdha të peshkut Krap më afërsi të Aeroportit në Prishtinë. Ferma e pulave dhe rezervatet e peshkut ishin nën emrin e firmës “Adi”. Ferma kishte arritur afër 200 mijë pula, ndërsa hurdhat e peshkut Krap për tregun vendor ka dhënë disa tonë peshku Krap për nevojat e tregut vendor.
Hurdhat e peshkut përfshinë 80 hektarë toke shumë të pasur te aeroporti që i përkasin komunës kadastrale të Lipjanit, ndërsa ferma e pulave kishte 27 hektarë tokë.
Aso kohe Lipjani ishte prioritet ekonomik në Kosovë për shkak se kishte 11 fshatra të banuara me serbë lokalë që trajtoheshin me prioritet nga Serbia dhe ish Jugosllavia, prandaj Lipjanit i ofruan hapjen e rezervateve të peshkut Krap, që nuk ekzistonin në asnjë rajon tjetër komunal në Kosovë.
Eksperti bujqësor Abdurrahman Konjufca më vitin 2001 në një tender të shpallur nga administrata ndërkombëtare e UNMIK-ut, me përkushtim i hyri punës riprodhuese nga zeroja, me kredi dhe huamarrje nga subjekte e afaristë që sapo kishin filluar të bënin diçka ekonomike në Kosovën e shkatërruar nga lufta e vitit 1999.
Mani, siç e thërrasin shkurt, për gazetën Telegrami.co rreth të gjitha problemeve të shfaqura pas ndërhyrjes së AKP-së në mbylljen e fermës dhe rezervateve të peshkut Krap, thotë:
“Ferma e pulave dhe hurdha e peshkut Krap, kanë qenë pronë e Kooperativës bujqësore “Kosova” në Lipjan. Ka ardhur AKM dhe kanë paralajmëruar komercializimin fermës së pulave dhe rezervateve të peshkut.
Ne me punëtorë që kemi qenë në këto ndërmarrje, shprehëm interesimin që fermën e vjetër ta mbajmë vet.
Duke qenë gati e pamundur ta riaktivizosh një gjigant ekonomik me qindra punëtorë të punësuar për të filluar punën me borxhe dhe kredi”, i ka pohuar Mani Telegramit.co për të shtuar:
“7000 mijë DM pagese kisha në muaj qira”.
“50 punëtorë duheshin patjetër për fillim edhe pse nuk kishim asnjë pulë në fermë dhe asnjë objekt të përgatitur, përveç kësaj çdo gjë ishte shkatërruar. Punën e kemi filluar me 50 punëtor ne fermë dhe me dy në rezervate “, thotë Konjufca.
Përgatitjet teknike për Fermë dhe rezervate të peshkut
“Për ta nisur punën duhej pastruar dhe përgatitur objektet e vjetra për mbajtjen e zogjve, ndërsa për rezervate duhej shumë më shumë punë”, thotë Mani dhe potencon:
“Basenet ishin mbushur baltë dhe duhej pastruar, ndërkohë që gypat ishin dëmtuar dhe thyer, nga banorët vendorë që bashkëpunonin me ushtarët rusë të KFOR-it që qëndronin tërë kohën në peshkim . Pasi janë mbushur me ujë basenet, janë importuar mbi një milionë ikra të Krapit dhe ballgjyki kinez e një milion anur, prej të cilëve Krapi ka dalur i suksesshëm.
KFOR-i që ishte pranë fermës, ishte pengesë për pulat dhe zogjtë e ri, por më premtuan se sapo të shkonte KFOR-i, unë do ta zgjeroja hapësirën” tregon ai.
Dëmet nga KFOR-i
Mani, ka ngre akuza edhe ndaj KFOR-it irlandezë i cili ka qenë i vendosur pranë fermës .
” Kanë ardhur vazhdimisht helikopterë që kanë bërë zhurmë dhe më kanë shkaktuar dëme të mëdha në 185 mijë copë pula më vitin 2006.
Duke parë dëmet nga KFOR-i, pa më skaduar kontrata kam bërë padi për mos përmbushje të kontratës dhe kam paditur AKM-në, proces që është zvarritur shumë gjatë, për çka kam angazhuar avokatin e popullit”, thotë ai .
Më pas përmes një avokature nga Vushtrria, Konjufca ka kontaktuar gjykatat dhe ka filluar procesi gjyqësor me AKP -në.
“Procesin e fundit gjyqësor e kam fituar, por në seancën e fundit AKP-ia nuk e ka dhënë fjalën. AKP ka dërguar shkresë me shkrim në gjykatë dhe e ka fajësuar KFOR-in për dëmet e shkaktuara, ndërsa akuzën ndaj AKP-së e ka hedhur si të pabazuar. Unë e kam paditë edhe KFOR-in, në Shqipëri e kam gjete një avokat dhe padinë e kam bërë në gjykatën në Lipjan për dëme rreth 9 milion euro. Realisht mua borxh më ka AKP sepse kam bërë kontratën me te.
AKP është dashur me ma liruar objektin. Gjykata e ka shpallur të bazuar kërkesën e AKP-së. 7 milion dëme është vlerësimi i ekspertëve në vendin e ngjarjes dhe një milion dëme në rezervatet e peshkut.
Tani objektin e ka dikush nga Mitrovica. Pulat e mia i kanë konfiskuar dhe ja kanë dhënë atij. Ai e ka marrë pa konkurruar fare. Mua ma kanë shkëput kontratën ende pa u përfunduar ajo dhe kjo ka ndodhur vetëm pse kam bërë padinë. Në proces gjyqësor jam prej vitit 2011-2012. Synimet janë që të vazhdoj procesi edhe në gjykatë ndërkombëtare në Strasburg”, ka thënë ish pronari Abdurrahman Konjufca.
AKP: ”Adi”, nuk i ka plotësuar kushtet e kontratës.
Versioni zyrtar brenda AKP-së rreth shkëputjes së kontratës me firmën “Adi”, është se ndërmarrja nuk i ka plotësuar kushtet e kontratës.
“Nuk i ka kryer obligimet ndaj punëtorëve dhe ne i kemi paguar gjashtë paga për punëtorët, prandaj e kemi shkëputur kontratën”, kanë thënë shkurt burime brenda AKP-së, duke mos folur për procese gjyqësore të AKP-së me Abdurrahman Konjufcën e as dëmet që i janë shkaktuar atij.