Hisen Berisha i PDK-së ka takuar Ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, gjatë vizitës së tij në Zagreb.
Në një postim në Facebook, Berisha ka shkruar se gjatë qëndrimit të tij në Zagreb, ai ka marrë pjesë në një simpozium shkencor të organizuar nga Fakulteti i Studimeve Kroate të Universitetit të Zagrebit me temën: “Rëndësia e kujtesës evropiane për të ardhmen evropiane – Krimet komuniste”.
Gjatë këtij eventi, ai ka pasur mundësinë të takohet me Ambasadorin e Kosovës dhe stafin e Ambasadës, duke përshkruar pritjen si një moment që kaloi përtej protokollit diplomatik.
“Një pritje vëllazërore dhe bashkëbisedim nga aty ku ka mbetur, për të mirën e kombit, shtetit dhe historisë. Natyrisht, për punën e mirë në shërbim të vendit dhe avancimin e statusit të shqiptarëve në këtë shtet aleat. Pesha intelektuale dhe akademike e diplomatit e ngrit edhe subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit. E në këtë korelacion, autoritetin dhe nderin i ke në nivelin më të lartë të vlerësimit. Ju faleminderit Ambasador për pritjen e dhuratën – librin!”.
Kujtojmë se ish-anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes që u emërua ambasador i Kosovës në Zagreb, në vitin 2022 është raportuar se u implikua në një skandal të madh financiar për të cilin ka raportuar mediumi slloven Planet Tv. Berishaj ka shtetësi sllovene dhe para dekretimit si ambasador në Kroaci atij i është dhënë shtetësia e Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani.