Pas shumë orëve të luftës me flakët, Shëngjini është vënë nën kontroll dhe gjendja është qetësuar. Nata ka qenë më e qetë për sa i përket frikës nga zgjerimi i zjarreve. Shumica e zjarreve janë lokalizuar, ndonëse gjendja në terren mbetet shqetësuese te vendi “Rana e Hedhur”, raportohet nga burimet e sigurta informative dhe qeveritare në Shqipëri.
Sipas burimeve nga Shqipëria “gjendja e zjarreve po shkon drejt përmirësimit me përjashtime në “Ranën e Hedhun”, ku situata të martën ishte më kritike, por tani duket të jetë nën kontroll , edhe pse era e herë pas hershme që fryen sjell pasoja .
Edhe në qendër pranë kishës katolike, ku zjarri u aktivizua mbrëmë në orët e vona, flakët janë vënë nën kontroll.
Vijon ende puna e zjarrfikësve në terren, por me intensitet më të ulët”, vinë njoftimet nga vendi i ngjarjes në Shqipëri.
Gjendja me zjarret veçmas në Shëngjin ka qenë e rëndë dhe për ta lokalizuar rrezikun është aktivizuar beteja e Emergjencës Civile dhe zjarrfikësve në zonën e Shëngjinit, ku gjatë së martës flakët janë përhapur deri tek lokacionet banesore të cilat janë lokalizuar fal ndërhyrjes emergjente dhe profesionale.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka qenë në kontakt me KFOR-in, me kërkesa të vendosjes së helikopterëve të forcës së NATO-s në Kosovë, për shuarjen e zjarreve në Shëngjin
Ministri Balla, në një komunikim për mediat, tha se aktualisht janë 5 vatra zjarri aktive. Ai tha se ka komunikuar dhe me homologun slloven, ku ka kërkuar mbështetje në këtë betejë me flakët.
“Unë kam patur një komunikim me ministrin slloven gjatë ditës së sotme. Ata kanë mundësinë dhe kanë kapacitetin që përmes mekanizmit të mbrojtjes që ka BE, të na mbështesin. Ministri i Mbrojtjes është në kontakt me KFOR, për të sjell dhe helikopterët e KFOR për të na ndihmuar në këtë operacion të vështirë”, tha Balla.
Sipas tij, era është një faktor negativ në betejën me flakët.
“Nëse ndalet era, sipas parashkimeve diku pas mesnatës së stome, situata do të përmirësohet. Në kushtet e kësaj ere, puna jonë është e pamundur të japi rezultatin që duam të gjitha. Këtu po luftohet prej më shumë e 24 orësh tanimë, pa ndërprerje. Dhe ne na duhet një pjesë e zjarrfikësve në vende ku shfaqen vatrat e reja të zjarrit, pasi janë 5 vatra zjarri aktive. Situata më e vështirë është këtu ku shikoni, por edhe pjesa tek Rana e Hedhun. Por jam i shqetësuar edhe për kurorën në qytet, tek kisha. Janë të gjitha aty për të ndërhyrë”, tha Balla.
Ai nënvizoi se sipas vlerësimit paraprak nuk kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme.
Apeli i Ballës për kujdes ndaj përhapjes së zjarreve
Ministri i Brendshëm Balla ka kërkuar shtim kujdesi të qytetarëve ndaj përhapjes së mundshme të zjarreve dhe lidhur me këtë ka deklaruar:
“Përfitoj nga ky komunikimin të ripërsëris një thirrje: ju lutem çdo qytetar të këtij vendi edhe kur nisesh për një gjë të vogël për të djegur një gjë të vogël, në shumicën e rasteve kanë çuar në këto zjarre. Nuk lejohet të ndizet zjarr dhe kujtoj parashikimet në Kodin Penal”, u shpreh Balla.
Ministri Balla, tha se nuk ka asnjë hotel të prekur nga zjarri. Sipas tij, po punohet me kapacitet të plotë për të mënjanuar përhapjen e flakëve”, tha Balla
Deri më tani ,sipas Ballës zjarret kanë prekur disa qati hoteliere , por që janë shpëtuar pa dëme më të rënda materiale.
“Asnjë hotel nuk është përfshirë nga flakët. Strukturat shtetërore janë në krye të detyrës. Do të bëjmë detyrën dhe shpresojmë të kemi motin në favor. Nuk kemi hotel të përfshirë nga zjarri. Patjetër janë rrezikuar. Edhe një banesë tre katëshe ku zjarri ka preku pjesën e çatisë, zjarr nuk ka ardhur nga pjesa që e rrethon por nga çatia. Hetimet për dëmet do t’i bëjmë më vonë. Ne duam të garantojmë jetën e qytetarëve dhe turistëve në këtë zonë, më pas do të bëhet dhe bilanci i dëmeve”, tha Balla në komunikimin e tij me gazetarët.
Zjarret në Shqipëri kanë sjellur rreziqe për shkak të erës së fuqishme dhe rreziku i ka qenë i lartë ,prandaj shteti shqiptar kishte lidhur komunikim me shtetet tjera për ndihmë.
Situata në Gjirokastër, nën kontroll
Në Gjirokastër situata e zjarreve është përmirësuar gjatë orëve të natës dhe mëngjesit të sotëm.
Rreth orës 4 të mëngjesit pati një riorganizim të forcave të shërbimit zjarrfikës për izolimin e vatrave të zjarrit mbi parkun e Viroit si dhe për izolimin e vatrës drejt fshatit Mashkullorë. Të dyja këto drejtime të zjarrit janë vënë nën kontroll nga zjarrfikësit dhe janë drejt shuarjes. Aktualisht po punohet për izolimin e vatrës së zjarrit mes lagjes Dunavat të Gjirokastrës dhe fshatit Lazarat.
Në operacione gjatë natës u aktivizuan rreth 80 forca zjarrfikëse dhe vullnetare. Aktualisht në vatrën e fundit aktive, po punojnë 15 forca të ushtrisë dhe të gjithë efektivët e tjerë janë zhvendosur drejt Tepelenës për të ndihmuar me situatën e zjarreve atje.