Policia e Kosovës ka zbuluar një laborator të sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve në Prishtinë, pas ndalimit të një automjeti më 24 janar.
Në bastisje u sekuestruan makina laserike, printerë, mbi 20,000 mikroçipa dhe dokumente të falsifikuara nga 51 shtete. Shoferi F.K. u arrestua dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Prokuroria Speciale po heton rastin për “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Krim të organizuar.”
“Policia e Kosovës më 24 janar 2025 ndaloi një automjet në Prishtinë, ku gjeti dokumente të zbrazëta të shteteve të ndryshme të botës. Shoferi me inicialet (F.K.) u arrestua dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Pas hetimeve intenzive, u zbulua një shtëpi në Prishtinë që shërbente si laborator i sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti dhe patentë shoferë. Në bastisje u sekuestruan dëshmi relevante, makina laserike, printerë, mbi 20,000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës. Ky rast po hetohet si “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Krim i organizuar” nga Prokuroria Speciale. Policia e Kosovës mbetet e angazhuar në luftimin e krimit të organizuar”, thuhet në njoftim.