Grupi parlamentar i Vetëvendosjes akuzon Komisionin hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore 2023/2024, se ka shkelur ligjin për hetim parlamentar dhe rregulloren e Kuvendit, dhe se draft-raporti nga ky komision është hartuar në zyrat e PDK-së për propagandë.
Reagimi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes vjen pas dështimit të mbajtjes së mbledhjes së fundit në mungesë kuorumi.
Në një konferencë për media, deputeti Armend Muja ka thënë se pjesa e opozitës në komision kanë sabotuar dhe shkelur afatet procedural për intervistimin e 66 dëshmitarëve dhe se draft-raporti është hartuar në zyrat e Partisë Demokratike të Kosovës.
“Komisioni hetimor në vazhdimësi përfshirë edhe në mbledhjen e fundit ka shkelur rregulloren e kuvendit, sa i përket kuorumit dhe vendimmarrjes. Dreshaj dhe anëtarët e tjerë në vazhdimësi, në muajin e fundit kanë shkelur rregulloren e Kuvendit dhe Ligjin për hetim parlamentar, duke marrë vendime, mbajtur mbledhje, ftuar njerëz për intervistim jashtë konsensusit dhe jashtë vendimmarrjes së komisionit për hetim parlamentar… Qe nga prilli deri më 31 korrik kanë sabotuar dhe shkelur afatet procedurale për intervistimin e 66 dëshmitarëve të propozuar. Ky draft-raport, nuk ka përfshirë intervistimin e dëshmitarëve të propozuar. Kjo për shkak se ata dëshiruan që të vazhdon faza e hetimeve deri në nëntor, që është në kundërshtim me ligjin për hetim parlamentar. Për pasojë, në mungesë të kohës, respektimit të procedurave në mbledhjen e fundit pa pasur vendimmarrje për kuorumin dhe pa pasur numra për vendimmarrje prezantuan një draft raport të cilin shpejtë e shpejtë e kishin hartuar në zyrat e PDK-së”, tha Muja.
Deputeti tjetër nga LVV-ja, Arbër Rexha ka bërë të ditur se do të kërkojnë nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca që mbledhja e fundit e komisionit hetimor parlamentar të mos konsiderohet e mbajtur.
“Mendojmë që ligji për hetim parlamentar është shkelur kryesisht në çështjet e vendimmarrjes, sepse në këtë kontekst nuk mund të bëhet as mbledhje pa vendimmarrje, pra pa shumicën e thjeshtë të anëtarëve aty të cilët janë prezent, e lëre më që të shkruhet ose të tentohet të shkruhet ndonjë raport…Drafti i hartuar tashmë është bërë për dy arsye. E para është për propagandë dhe e dyta është për fushatë ose para fushatë politike…Ne do t’i kërkojmë kryetarit të Kuvendit që kjo mbledhje të mos konsiderohet e mbajtur sipas ligjit në fjalë, sepse ajo nuk mund të konsiderohet, është zero. Në këtë kuptim, edhe ekspertët të cilët megjithatë kanë vendosur nënshkrimet e tyre, duhet t’i thërrasin në përgjegjësi sepse edhe ata e kanë thyer ligjin në fjalë”, tha Rexha.
Në mbledhjen e djeshme ishte paraparë intervistimi i dëshmitarëve Fadile Dyla, sekretare e përgjithshme e MASHTI-t, Avni Rexha, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit të Arsimit Parauniversitar dhe Genc Hamzaj nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit – ASH.
Në mungesë kuorumi, kryetari i komisionit Shemsedin Dreshaj ka thënë se deputetët nga pushteti sërish nuk janë prezentë. Ndërsa, deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, tha se raportin duhet dërguar në prokurori, në mënyrë që kjo e fundit të merret me procesin e subvencionimit të teksteve shkollore.