Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, ka thënë se Shqipëria është e gatshme për shtimin e trupave ushtarak në Kosovë, nëse është e nevojshme.
Në një konferencë të mbajtur për media, Vengu tha se në këtë drejtim, shteti shqiptar “nuk ka asnjë rezervë”.
Pas takimit me homologun e tij kosovar, Ejup Maqedonci, Vengu ka theksuar se shtimi i trupave është një vendimmarrje kolektive e KFOR-it, e cila bëhet në bazë të rishikimeve periodike të situatës së sigurisë.
“Kemi biseduar për rritjen e kapaciteteve. Kemi në dispozicion të gjitha instrumentet e armatosura që FSK-ja të ketë të gjithë nivelin e sigurisë. Bashkimi i forcave që resurset të mos humbin kohën në çështjen e ushtrisë civile dhe të investojmë në mënyrë të përbashkët. Diskutuam edhe për të gjithë sigurinë në rajon. KFOR-i është një instrument i rëndësishëm për sigurinë kolektive, këtë gjë e nënvizova edhe sot. Pa dyshim që Shqipëria në KFOR ka një kontribut të posaçëm. Kemi shtuar trupat në kuadër të Aleancës. Është një komandim i përbashkët dhe ka një rishikim periodik që bëhet situatës së sigurisë. Nëse është nevoja, edhe Shqipëria do t’i bashkëngjitet nëse është nevoja. Jemi në gatishmëri, nuk ka asnjë rezervë. Nuk është një vendimmarrje që i përket vetëm Shqipërisë, është një vendimmarrje kolektive”, ka thënë Vengu.
Ndërsa, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, pas takimit me Vengun ka thënë se të dyja vendet kanë nevojë për thellim të bashkëpunimit dhe zgjerim në industrinë ushtarake.
Ai ka theksuar se edhe Kosova synon që të jetë përkrah Shqipërisë, anëtare e NATO-s.
“Pata nderin dhe kënaqësinë që të pres në takim për herë të parë ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, me të cilin diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes. Kemi bashkëpunuar mjaftë mirë por kemi vlerësuar që ka nevojë për thellim të bashkëpunimit dhe zgjerimin e tij në industrinë ushtarake që po shihet si nevojë. Këtu dua të bëjë të qartë të gjithë atyre akterëve që ne me ushtrinë shqiptare jemi dhe kemi bashkëpunuar për t’u përballur me çdo sfidë dhe kërcënim që synon të kërcënojë trashëgiminë, vlerat dhe sigurinë. Dy vendet tona janë pjesëmarrëse aktive në luftën e Ukrainës. Synojmë që bashkë të jemi në të ardhmen e afërt pjesë e NATO-s”, tha Maqedonci. /EO