Heqja dorë nga protestat e minatorëve të ndërmarrjes Trepça para Qeverisë të enjten më 15 gusht, pas ndarjes së 4 milionë eurove nga Qeveria Kurti, është zgjidhje e përkohshme për dy muaj.
“Katër milionë eurot e ndara nga Qeveria Kuri, janë një zgjidhje sociale për minatorët dhe punëtorët dhe kjo zgjidhje sociale e përkohshme vlen vetëm për dy muaj”, i ka pohuar gazetës Telegram News deputeti dhe eksperti ekonomik Ferat Shala.
Si mund të del Trepça nga ngërçi ekonomik dhe si mund ta fillojë punën me kapacitete më të plota pune, përfshirë edhe pajisjet e punës me të cilat rritet prodhimi, Ferat Shala ish drejtor i Trepçës thotë:
“Mjetet që i ka ndarë Qeveria e Kosovës janë mjete që mbulojnë aspektin social të punëtorëve për katër muaj, tre muaj kanë shkuar dhe një muaj ka mbetur.
Kjo tregon se aty përsëri ka mbetur problemi i pazgjidhur dhe krejt reagimi i Qeverisë si aksionare kryesore e me 80% të mjeteve, po bëhet për fushatë zgjedhore.
Qeverisë nuk i konvenon dalja në protesta e minatorëve por e askujt tjetër pasi veç ka hyrë në fushatë parazgjedhore
Me këto mjete të ndara, nuk mbahet Trepça, sepse ka mjete te grumbulluara nga borxhet, pra fatkeqësisht, situata e krijuar me këto mjete nuk zgjidh problemin.
Me këto para të ndara zgjidhet vetëm aspekti social i punëtorëve dhe pagesat e punëtorëve por nuk zgjidhet problemi i teknologjisë, as i revitalizimit po as i rritjes së kapacitetit prodhues dhe probleme të tjera të cilat Trepça i ka gati katër vite që nuk ka pasur asnjë investim.
Kjo është vetëm një blerje e kohës, vetëm për fazën e zgjedhjeve.
Kaq mjete të ndara nga Qeveria , janë për këtë periudhë të fushatës zgjedhore që minatorët të mos dalin në protesta.
Qeveria Kurti me qëllim të caktuar po e blen kohën me qëllim për zgjedhjet e ardhshëm por Trepça mbetet në kolaps dhe me 30 milionë euro borxhe që i ka dhe për të cilat ka folur edhe Auditori Kombëtar në raportin e vet.
Ka investime pothuajse të jashtëzakonshme deri në vitin 2012-2013, e pas vitit 2012 nuk ka pasur më investime, është e momentit dhe e dëshirës politike se çka po duan.
Investimet kapitale në Trepçë shkojnë në 10 milionë euro por nëse llogarisim edhe hapjen e metalurgjive, atëherë do shkojnë diku rreth 250 deri në 300 milionë euro”, ka spikatur Shala.