Spanja rrezikon të dënohet nga UEFA, për shkak të thirrjeve të disa lojtarëve në festimet e trofeut të Europianit në Madrid.
Para tifozëve të shumtë që kishin mbushur sheshin për të festuar, Morata dhe Rodri kënduan në kor: “Gjibraltari është spanjoll”, refren që u vazhdua më pas edhe nga tifozët.
Gjibraltari është një territor britanik përtej oqeanit në bregun jugor të Spanjës dhe ka qenë shpesh i diskutuar mes partive politike të ekstremit të djathtë spanjoll.
Pas thirrjeve të dy lojtarëve, ka reaguar edhe Federata e Futbollit të Gjibraltarit, që po përgatit një ankesë zyrtare në UEFA.
“Federata e Futbollit të Gjibraltarit ka vënë në dukje provokimet dhe fyerjet gjatë festimeve të fitores së ekipit kombëtar spanjoll për meshkuj në Euro 2024.
Federata po merr këshilla për paraqitjen e një ankese në organin drejtues të futbollit evropian, UEFA, në lidhje me këngët e papranueshme, në lidhje me Gjibraltarin, të kënduara nga lojtarët e Kombëtares së Spanjës për meshkuj pas fitores së Euro 2024. Futbolli nuk ka vend për sjellje të kësaj natyre”, thuhet në deklaratë.
UEFA shpesh është treguar me dorë të hekurt ndaj këtyre situatave dhe Spanja rrezikon dënim me gjobë. Po ashtu nuk përjashtohet mundësia e një pezullimi për dy lojtarët që kënduan.