Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar sot se duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, të gjithë punonjësit e sektorit publik do të përfitojnë një rritje të koeficienteve, e cila do të rezultojë në një rritje totale prej 110 eurosh deri në korrik 2025.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka komentuar paralajmërimin për rritjen e pagave nga Qeveria Kurti duke e quajtuar mashtrim dhe skandaloze.
“GP i AAK ka thirrur këtë konferencë për shkak të se konferenca e kryeministrit ka qenë komunikimi më i rëndësishëm për 80 mijë shërbyes civil. Gjithë ne kemi prit që t’i duartrokasim për rritjen e vlerës së koefocientit. Në esencë është skandaloze, në përmbajtje është mashtrim dhe dështim”, tha Tahiri në konferencë për media.
Tahiri tha se se procesi i rritjes së pagës në sektorin publik bëhet në dy mënyra, përmes Ligjit që i rregullon pagat dhe shumën e rregullon me Ligjin mbi Buxhetin.
“Kosova dhe qeveria i rregullon pagat në sektorin publik me Ligj dhe shumën e rregullon me Ligjin mbi Buxhetin. Rritja e njësive në formë hirarkike të koeficinetit mundet me ndodh vetëm nëse ky Ligj i shtrohet një procesi të amandamentimit në Qeveri e më pastaj në Kuvend. Është manipulim me shërbyes civil dhe kanë pritur që së paku vlera e koeficientit të jetë së paku 130 euro”, shtoi Tahiri.
E gjithë këtë, ai po e quan si tentim për blerje votash nga partia në pushtet.
“Ne kërkojmë që të mos ketë lojë, të mos tentohet blerja e votës por të shkohet përmes Ligjit për Buxhetin. Ajo që u tha për rritje të ekonomisë, të na tregojë dikush se në cilën sektorë është rritur ekonomia. Andaj ne nuk e mbështesim rritjen prej 50 euro, për shkak se ky është mashtrim dhe tentim për blerje të votës”, u shpreh Tahiri.