Ekuipazhet e urgjencës kanë nxjerrë rreth 30 trupa nga uji pas përplasjes së një avioni dhe një helikopteri ushtarak pranë Aeroportit Kombëtar në Washington DC. Sipas zyrtarëve, nuk besohet të ketë të mbijetuar nga ky aksident.
John Donnelly, shefi i departamentit të zjarrfikësve dhe shërbimeve të urgjencës në Washington DC, ka thënë se ekipet e tij kanë nxjerrë 27 trupa nga avioni dhe një nga helikopteri.
“Ne nuk besojmë se ka ndonjë të mbijetuar nga ky aksident”, thotë ai, raporton BBC.
Sekretari i Transportit, Sean Duffy para mediave ka thënë se nuk dëshiron të hyjë në shumë detaje rreth informacionit nga Administrata Federale e Aviacionit, por se para përplasjes, rrugët e fluturimit të të dy avionëve nuk ishin të pazakonta për hapësirën ajrore të DC.
Të dy avionët u rrëzuan në lumin Potomac.
Administrata Federale e Aviacionit tha se përplasja në ajër ndodhi rreth orës 21:00 kur fluturimi 5342 i American Airlines – një avion rajonal që ishte nisur nga Wichita, Kansas u përplas me një helikopter të ushtrisë ndërsa po afrohej në një pistë aeroporti. Përplasja ndodhi në disa nga hapësirat ajrore më të kontrolluara dhe më të monitoruara në botë, pak më shumë se tre milje në jug të Shtëpisë së Bardhë dhe Kapitolit.