Në ish-komunën paralele të Mitrovicës Veriore është ngritur flamuri i Kosovës, një hap kyç në procesin e integrimit të veriut në institucionet e Republikës së Kosovës.
Në ndërtesat që dikur ishin nën kontrollin e institucioneve paralele serbe, janë vendosur pllaka që tregojnë se ato do të shërbejnë si zyra për Ministritë dhe departamentet kosovare.
Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe në veri, duke argumentuar se ato kanë operuar nën udhëheqjen e Serbisë dhe kanë shkelur Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Institucionet që janë mbyllur përfshijnë komunën paralele të Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Çfarë janë strukturat paralele?
Strukturat paralele janë institucione të krijuara pas luftës në Kosovë, me mbështetje financiare dhe udhëzime nga Qeveria e Serbisë, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Për Serbinë, këto institucione janë të përkohshme, ndërsa për Kosovën ato janë ilegale dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Që nga viti 1999, në Kosovë kanë operuar rreth 30 komuna paralele, të drejtuara nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Ndërkohë që nuk janë mbajtur zgjedhje për këto komuna që prej vitit 2012, drejtuesit e tyre emërohen nga ekzekutivi serb.
Çfarë funksioni kryejnë këto struktura?
Në veri të Kosovës, komunat paralele ofrojnë shërbime të ndryshme, duke përfshirë ndërtimin e objekteve banesore, renovimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore, dhe dhënien e certifikatave të lindjes, vdekjes dhe dokumenteve të tjera.
Gjithashtu, punonjësit e këtyre institucioneve marrin paga dukshëm më të larta nga Serbia. Për shembull, infermierët marrin deri në 1.200 euro, ndërsa mjekët deri në 3.000 euro, krahasuar me sistemin kosovar ku mjekët marrin 777 euro dhe mësuesit 609 euro.
Ndihma financiare nga Serbia
Ligji për Financat e Pushtetit Lokal në Kosovë lejon që Serbia të dërgojë ndihma financiare për serbët e Kosovës. Për vitin 2024, Serbia ka ndarë 139 milionë euro për komunitetin serb në Kosovë, një rritje prej 11 milionë eurosh krahasuar me vitin 2023. Megjithatë, ekspertët kanë ngritur shqetësime për mungesën e transparencës së këtyre investimeve ndër vite.