Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, ka shpejguar se si qëndron punësimi në Kosovë, teksa ka akuzuar Qeverinë Kurti që po manipulon me shifrat e punësimit.
Rukiqi ka thënë se vendet e punës që humbën gjatë pandemisë ato u rikthyen pas pandemisë dhe formalizimi i vendeve të punës janë tregues që nuk u krijuan vende të reja të punës.
“Krahasimi i gabuar me vitin 2020: Gjatë pandemisë u humbën rreth 25,000 vende pune për shkak të mbylljes së ekonomisë. Me hapjen e saj në 2021, këto vende pune u rikthyen. Por, Qeveria po i llogarit si vende të reja pune! Formalizimi i vendeve të punës: Vendet e formalizuara (rreth 4000-5000 vende pune të formalizuara, vetëm në vitin 2023, sipas Bankës Botërore) gjithashtu po raportohen si vende të reja pune.”
“Cila është e vërteta? Para pandemisë (2015-2019): U krijuan 66,240 vende pune – mesatarisht 16,560 në vit. Pas pandemisë, me këtë Qeveri ( 2021-2023): Vetëm 42,195 vende pune – mesatarisht 14,065 në vit.” – ka shkruar ai në Facebook.
Më tej, ai ka shtruar edhe dy pyetje për Qeverinë Kurti.
“Pyetje për Qeverinë: Si është zvogëluar papunësia nga 25% në 10.9%, kur vetëm 42,195 vende pune janë shtuar? Ku janë këto mijëra vende pune të reja që pretendoni se keni krijuar, në cilin sektor, nga të cilat investime, me çka e keni ndihmuar krijimin e këtyre vendeve të punës?” – ka shkruar Rukiqi.