Faturat e energjisë elektrike po shpërndahen në zarfe ashtu siç parashihet në vendimin e fundit nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP).
Përmes një njoftimi KESCO ka bërë të ditur se ky projekt, i cili ka filluar së implementuari si pilot projekt që nga muaji maj i këtij viti në disa lokalitete në formë të pilot projektit, pastaj sipas njoftimit nga 22 qershori i këtij viti, pilot projekti u zgjerua në të gjitha distriktet në lokalite të caktuara, për të filluar me komplet konsumatorët në muajin gusht.
“Kjo formë e re e shpërndarjes së faturave pa dyshim që po has në shumë vështirësi për ta implementuar në plotni. Një nga pengesat kryesore është mungesa e kutive postare, mungesa e adresave dhe numri identifikues i shtëpive apo objekteve banesore. Këto po e vështirësojnë tej mase procesin e dorëzimit të faturave”, thuhet në kumtesë.
Më tej theksohet se futja në zarfe e të gjitha faturave, përpos pengesave në terren, po ngadalëson edhe komplet procesin e leximit dhe faturimit.
Të gjitha këto rrethana, sipas KESCO-s, e bëjnë të domosdoshme marrjen në konsideratë të ndonjë alternative tjetër, ku esencial do të ishte bashkëpunimi ndërinstitucional që të gjendet zgjidhja sa më e mirë dhe sa më efikase, benefitet e të cilave do t’i korrnin konsumatorët fundor.
“KESCO ka mbi 700 mijë konsumatorë anekënd Kosovës, dhe çështjet operacionale, sidomos në vende rurale, e vështirësojnë edhe më tepër realizimin e këtij projekti. Kemi shqyrtuar edhe organizimin e dërgesave postare, por që nuk janë unike për të gjithë dhe nuk krijojnë mundësi veprimi për të gjithë konsumatorët fundorë”, thuhet tutje në njoftim.