Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka përmbledhur takimet që ka zhvilluar Zëvendës Sekretari Amerikan për Menaxhim dhe Resurse, Richard Verma.
Një njoftimin e ambasadës theksohet pajtimi me Presidenten Vjosa Osmani për vendosjen e Dialogut Strategjik.
“Verma dhe Presidentja Osmani ranë dakord për themelimin e Dialogut Strategjik dypalësh. Gjithashtu diskutoi rëndësinë e ruajtjes së statusit të Kosovës si një vend demokratik dhe multietnik ku të gjitha komunitetet mund të kenë sukses dhe të përparojnë pa frikë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Dialogu strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.
Bazuar në informacionet nga Departamenti i Shtetit, Radio Evropa e Lirë konfirmoi se SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.
SHBA-ja përfshihet në dialog strategjik jo vetëm me shtete, por edhe me organizata ose lëvizje të vendeve që ajo nuk i konsideron aleate, si Lëvizja demokratike bjelloruse e udhëhequr nga Sviatlana Tsikhanouskaya.
Dialogu strategjik me Kosovën dhe Serbinë është përmendur gjithashtu në një deklaratë për shtyp të senatores amerikane, Jeanne Shaheen, në prill të vitit 2024.
Në atë kohë, Komiteti për Punë të Jashtme i Senatit të SHBA-së miratoi një projektligj të propozuar nga senatorja demokrate Shaheen dhe senatori republikan, Roger Ëicker, që synonte rritjen e angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor dhe u dërgua në Senat për shqyrtim.
Projektligji përmend gjithashtu nevojën për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se kur të jetë bërë përparim i mjaftueshëm, Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë nismat për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me të dyja vendet.