Kosova duhet të largojë masën e sigurisë ndaj mallrave serbe, thonë njohësit e ekonomisë. Sipas tyre, kryeministri Albin Kurti duhet të dëgjojë kërkesën gjermane për zhbllokimin e vendimmarrjes së CEFTA-s dhe bashkëpunimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Të njëjtit nënvizojnë se Kosova duhet të jetë akterë në iniciativat rajonale, e jo të izolohet dhe të krijojë probleme në këtë drejtim. Krahas kësaj vihet në pah edhe rreziku që ekonomia e Kosovës të izolohet nga vendet e rajonit, siç thonë duke i vendosur taksë nga shtetet fqinje. Ndërsa, Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë sqarime për KosovaPress lidhur me këtë çështje.
Ish ministri i Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Ismet Mulaj, thotë se ekzekutivi duhet të gjejë modalitete dhe në koordinim me Gjermaninë të tejkalohet kjo situatë.
Mulaj ka dhënë sqarime se i përket problemeve të Kosovës me CEFTA-n.
“Kosova nuk është e bllokuar në CEFTA, për shkak se vendimet në CEFTA merren me vendim unanim, por Kosova ka problem me Procesin e Berlinit dhe me Gjermaninë, vendet anëtare të BE-së. Gjermania si pormovuese e Procesit të Berlinit i ka vënë kushte Kosovës, ose do të hiqni masat e sigurisë ndaj Serbisë, ose do të përjashtoheni prej Procesit të Berlinit, ndërsa sa i përket CEFTA-s, vendimet aty merren me unimanitet, nëse Kosova përdor veton aty asnjë vendim nuk mund të merret. Kështu Kosova rrezikon që në kuadër të CEFTA-s të përdor veton e UNMIK-ut, prandaj këto probleme duhet të shikohen me shumë kujdes, për shkak se janë marrëveshje rajonale të cilat synojnë të integrojnë vendet e Ballkanit Perëndimor sa më shpejtë në kuadër të BE-së, Kosova duhet të jetë akter në arenën ndërkombëtare, jo vend i izoluar ose që krijon probleme në këtë drejtim. Nuk them që Qeveria e Kosovës në disa drejtime nuk ka të drejtë, por duhet të gjenden urat e komunikimit me Gjermaninë dhe vendet tjera me qellim që të tejkalohet kjo krizë që sot jemi”, thotë Mulaj.
Ai shton se në bazë të garancive gjermane, Kosova do të përfaqësohet me asterisk në CEFTA pa UNMIK-un.
“Gjermania ka ofruar garanci, nëse Kosova e eliminon këto masa që ka vendosur ndaj Serbisë, Kosova do gjejë zgjidhje si të përfaqësohet si Kosova pa UNMIK-un…Kosova duhet t’i merr seriozisht këto shqetësime të Gjermanisë, do duhej të gjenden zgjidhjet më të mira për Kosovën, me qëllim që të jetë pjesë e barabartë në CEFTA, dhe të jetë pjesë e pandashme e procesit të Berlinit…Kosova rrezikon shumë nëse përjashtohet nga procesi i Berlinit, humb imazhin e vet në arenën ndërkombëtare, humb mundësinë të përfitojë fonde qindra miliona euro nga BE dhe nga vet Gjermania, Kosova rrezikon t’i vihen taksa nga vendet rajonale dhe kjo në një mënyrë do të izolonte ekonomikisht Kosovën”, shton Mulaj.
Ndërsa, njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu thekson se përjashtimi i Kosovës nga organizata rajonale CEFTA çon në humbje të madhe për vendin në çdo aspekt.
“Duhet të kuptohet se rëndësia e CEFTA-s është e pakontestuar qoftë në aspektin e bashkëpunimit ekonomik, politik, rajonal…04:45 Besoj se çdo devijim nga kjo rrugë dhe ky rrugëtim i Kosovës do të jetë fitore për armiqtë e Kosovës, por humbje për Kosovën në çdo aspekt. Prandaj, duhet të mos mendohet vetëm në pushtet dhe karrige, por për shtet dhe qytetarë, duhet të dëgjohet zëri i miqve ndërkombëtar, në veçanti i shteteve evropiane, në këtë rast e kemi Gjermaninë…Nuk duhet këto pengesa dhe kjo arrogance e pushtetit të matet vetëm në aspektin monetar, Kosova është duke i humbur miqtë ndërkombëtar, Kosovë është e izoluar dhe sot për Kosovën pak kush dëshiron të flasë dhe të bëjë …në këtë drejtim vet fakti që jemi në procesin e implementimit të projektit për rritje dhe zhvillim të vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të thuhet që do të humben afër 900 milion euro”, thotë Gerxhaliu.
Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi thotë për KosovaPress se pavarësisht sfidave qoftë edhe në kuadër të Procesit të Berlinit, qeveria do të vazhdojë ruajtjen e sigurisë dhe ligjshmërisë në veri.
“Pavarësisht sfidave që ne do t’i kemi përpara në qoftë procesi Berlinit apo diçka tjetër ne do të vazhdojmë të shtrijmë sovranitetin dhe sigurisht të ruajmë ligjin dhe çdo gjë do të zbatohet ligji”, thotë Thaqi.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa akuzon qeverinë Kurti se po rrezikon të izolojë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe rajonale, derisa thekson se paralajmërimet e përfaqësuesve gjerman ndaj Kosovës janë serioze.
“Ne kemi një qeveri pa agjendë dhe në gjitha fushat po rrezikohemi, por mendoj se aty duhet të ja dalim…Qeveria Gjermane është serioze, mirëpo e jona fatkeqësisht nuk është”, thotë Beqa.
Zyrtarë të lartë gjermanë, të angazhuar për Ballkanin, kanë paralajmëruar se Kosova mund të përjashtohet nga nismat rajonale tregtare, nëse vazhdon të ngulë këmbë në ndalesën që zbaton ndaj importit të mallrave nga Serbia, dhe, rrjedhimisht, siç vlerësojnë ata, shkel parimet e CEFTA-s.
Masa e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe ishte marrë më 14 qershor nga Qeveria e Kosovës, atë ditë kur ishin rrëmbyer tre zyrtarët policorë të Kosovës nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.
Ndërkohë, Qeveria kishte marrë vendim më vonë për lehtësimin e masës së sigurisë ndaj mallrave, duke hequr masën e sigurisë vetëm për mallrat e lëndës së parë dhe gjysmë produkte./kp