Një storie jete prej 11 vjetësh si rob i mbajtur në Serbi, ka kaluar një burrë nga Ferizaj, i cili shpalos në detaje si përfundoi në duart e Nejdor Brajkoviqit nga Kosanica.
I rrahur shumë herë nga serbët lokalë dhe i maltretuar për vdekje, Zeqë Bislimi, tash rreth të shtadhjetave, për 11 vjet është mbajtur në Kosanicë të Serbisë si “rrogtar”, i njeriut të lidhur me policinë serbe dhe me fshatin, për ta mbajtur në izolim dhe nën kontroll në çdo hap jete, një shqiptar nga Ferizaj, Zeqë Bislimi, të cilin e kishin shitur në Serbi do të afërm të vet si punëtor krahu.
Historia e Zeqë Bislimit ka filluar para luftës dhe ka përfunduar disa vjet pas luftës së vitit 1999, duke dëshmuar se Serbia ka mundësi të ketë mbajtur shqiptarë për punët e rënda në familjet serbe të cilat ishin në minus me rininë e vendit.
Zeqë Bislimi me një jetë tepër dramatike, i ka kaluar tmerrësisht edhe vitet e luftës në shtëpinë e Brajkoviqit, duke pritur se kur do të ekzekutohej, apo të paktën, kur do të rrihej prej tij, si njeri që mbahej peng me lejen e organeve policore dhe shtetërore të Serbisë.
Ai kishte filluar të humbiste shpresën se do të kthehej në Kosovë përsëri, pasi nuk kishte asnjë dokument identiteti për kalimin e kufirit, gjë që e bënte problemin kryesor të ikte drejt vendlindjes në Ferizaj.
Fati i shpëtimit të tij ishte mjekra dhe kapela tradicionale serbe që e bartte, duke shërbyer si mbrojtje rasti.
Si e shitën Zeqë Bislimin në Serbi?
Duke folur për shitjen e tij në Serbi, Zeqë Bislimi ka treguar gjithë procesin e pabesisë ndaj tij nga, siç thotë ai bashkëpunëtorët e Serbisë në vitin 1997, kur atij iu bë një ofertë për punë në Serbi, në një punë ku gjoja do të preheshin dru mali.
“Nëna më ka vdekur më 1986 dhe na la tre vëllezër e tri motra. Një vëlla a e një motër kanë vdekur. Miradija është zhdukur.
Kur na nxorën nga banesa rreth 30 policë, na e përgjakën muret e saj duke e rrahur më së keqi vëllain tim Beqën, pasi ky deshi të rezistonte të mos dilte nga banesa që na e kishte lënë nëna.
Forca jonë ishte e vogël përballë tyre dhe ne u detyruam ta lëshonim banesën se nuk kishte kush të na mbronte.
Duke mbetur në rrugë, unë shkova te tezja në Petrovë, se nuk kisha zgjidhje tjetër. Tre vjet qëndrova te tezja dhe disa njerëz që emrat ua përmendi ku është vendi e që sipas meje kishin punuar me Serbinë, më ftuan të shkoja me ta në Serbi për të punuar.
Shkuam me veturë të tipit “Varburg” në Mala Kosanica (Kosanica e Vogël) në shtëpinë e Nejdor Brajkoviqit.
Unë nuk dija se ata, paraprakisht, më kishin shitur për dy mijë DM (Marka Gjermane). Unë do të mbetesha aty, sepse ishte bërë marrëveshje mes tyre dhe fatit tim që do ta përshkonte jetën time për 11 vjet rresht, pa pasur guxim të dilja nga shtëpia”, nis rrëfimin Zeqë Bislimi në banesën e tij në Ferizaj.
Dhe, për 11 vjet të qëndrimit aty, Zeqa ishte detyruar të kujdesej për bagëtinë e tij, për tokën dhe derrat.
Sa herë ka tentuar të ikte, Zeqa ka përfunduar në duart e tyre.
Rreth këtyre problemeve ai deklaron:
“Më kanë rrahur shumë herë dhe kur e lajmërova padronin tim, e ftonte policinë, ata talleshin me mua, duke më thënë se më kishin rrahur shqiptarët. Kam qenë 42 vjeç kur kam dalë nga Kosova dhe ata që më sollën këtu më morën për me pre dru.
Ai që ma mori letërnjoftimin, se gjoja i duhej për të mi rregulluar disa procedura që lidheshin me punën, u zhduk.
Atë njeri më nuk e kam parë kurrë, e nuk kam arritur ta marr më kurrë as letërnjoftimin.
Kur e kam pyetur Nejdorin se ku ishte ai që e mori letërnjoftimin, më tha se nuk jeton më këtu.
“Ku ma ka lënë letërnjoftimin e pyeta?”, e pyeta.
Nejdori ma ktheu:
“Çka të duhet ty letërnjoftimi pasi do të qëndrosh i sigurt te unë?!
“Duhet të ma kthesh letërnjoftimin, sepse dua të kthehem në shtëpi”, i thashë.
“Ti nuk mund të shkosh askund, sepse unë të kam blerë ty 2000 DM!”, ma ktheu.
“Unë nuk jam i shitur!”, i thashë.
“Mirë, m’i kthe paratë dhe shko!”, më tha Nejdori.
Pastaj më kërcënoj e më tha:
“Vetëm provo të dalësh prej këtu dhe do të bindesh me çka do të përballesh!”.
Kuptova menjëherë se puna ime ishte komplikuar dhe për mua ishte negociuar si rob, skllav i shitur.
U nisa të dal nga shtëpia dhe nuk i bëra as 50 hapa, kur më doli para patrulla e policisë, që si duket, më priste mua.
Më morën dhe më futën në shtëpinë e Brajkoviqit duke më kërcënuar dhe më ulën para tij.
Filluan ta pyesnin se kush isha unë…
Ai me ton të ulur, u tha se isha punëtor i tij dhe se isha njeri i mirë…
Në të kundërtën u tha policëve, le të m’i kthejë paratë dhe do më linte të lirë…
Policët pastaj më pyetën se a kisha para t’ia ktheja Nejdorit për të qenë i lirë. Unë u thashë se nuk kisha dhe kisha ardhur për të fituar.
Në fund policët më thanë: ose të rrija aty për të punuar, ose t’ia ktheja Nejdorit paratë, apo do të punoja deri të thoshte Nejdori mjaft ishte…
Në të kundërtën, do më çonin në burg, ku do më mbysnin të burgosurit serbë.
Dhe, pasi mendova pak, mora vendim të qëndroja aty për punë, sepse ishte e vetmja zgjidhje për të mbetur gjallë se asnjë vendim tjetër nuk ma garantonte jetën.
Para policëve serbë pranova të isha punëtor i Brajkoviqit, normal duke ruajtur shpresën se do të kisha shpresë largimi një ditë.
Punët kishin të bënin me malin, bagëtinë, fushën dhe me punët e shtëpisë.
Por, nuk kisha menduar se do t’i kaloja aty 11 vjet, pa ditur askush nga familja se unë isha zënë rob në Serbi!
Nejdor Brajkoviqi, kishte 12 krerë lopë, shumë derra, pula dhe 45 hektarë mal, e 8 hektarë tokë pune.
Për çdo dimër i preja nga 18 rimorkio traktori dru për shtëpinë e tij dhe të punoja tërë ditën pa ndalur kurrë, që nga ora 05.00 e agimit, kur të gjithë flenin.
Ishte një punë shumë e mundimshme verë e dimër dhe njëjtë e kisha edhe gjatë festave të tyre, e kur festonin, më detyronin të pija edhe unë raki, doja apo nuk doja, kjo nuk varej prej meje, por prej tyre.
Unë kujdesesha të mos e teproja, sepse nuk mund të zgjohesha të nesërmen me kohë, e kur ndodhte të mos zgjohesha me rrihnin.
Djemtë e mësonin Nejdorin se duhej të më jepte sa më shumë punë. Ata i jepnin këshilla babait të tyre, thuaj se ai nuk dinte të më urdhëronte!
Shpesh mendoja se si do më vinte fundi te ky serb, nëse jeta dhe fati nuk më jepnin mundësi arratisjeje…
Mendoja se një ditë kur të më lëshonte fuqia , ai do ma jepte një plumb në kokë dhe çdo gjë do të përfundonte me mua, e trupi im do të kalbej në Serbi, pra po flasim për kohën në prag të luftës “, flet Zeqë Bislimi.
Amaneti i Zeqë Bislimit lënë Nejdor Brajkoviqit
“Gjendja me Serbinë ishte acaruar qysh më 1996 dhe largimi im që kish ndodhur një vit më vonë dhe gati hynim në vitin 1998, ishte me shumë pikëpyetje për mua. A do më vriste Nejdori dhe kur, sa vinte e bëhej pyetje e përditshme për mua.
“Lufta që ofrohej e bënte largimin tim çdo ditë e më të vështirë për mua, e një kohë të gjatë nuk më zinte fare gjumi nga frika ,sepse lufta veç ishte ofruar e këta natën mund të më vrisnin në shtrat dhe të ma montonin ndonjë rast se kisha hyrë në shtëpinë e tyre…
Duke parë se gjendja ishte acaruar për luftë, Zeqë Bislimi, i kishte thënë Nejdor Brajkoviqit një ditë se kishte vetëm një dëshirë dhe jeta e tij tashmë përmbyllej me një kërkesë të vetme që ia linte amanet atij:
Nëse vritej, të mos ia lenin trupin mbi dhe, por ta varrosnin!
Nejdor Brajkoviqi, nuk i kishte dhënë përgjigje as me po e as me jo, e kjo tregonte se ekzistonte plani i vrasjes së Zeqë Bislimit, të cilin nuk do ta varrosnin, por trupin do ja gjuanin në ndonjë përrockë.
Rasti i Zeqës Bislimit nga komuna e Ferizajt, pas 11 vjet burgu shtëpiak dhe shërbim te Nejdo Brajkoviq në Serbi, le për të dyshuar se kishte mundësi që në Serbi të mbaheshin pengje shqiptarët për punë krahu gjë që nuk përjashtohet mundësia që edhe lufta e vitit 1999, kishte mundësi të ketë prodhuar situata të ngjashme.
Zeqa ka dyshime se kjo gjë, mund të ketë ndodhur pasi lëvizjet e Nejdorit me policinë e shtetit jepnin saktë të kuptosh se aty ishte krijuar një standard që fliste për do rregulla që ishin krijuar te ai.
Zeqë Bislimi ka dyshime se të bazuara se serbët dinë të tjetërsojnë dokumente juridike edhe ndaj të zhdukurve, sepse ka kaluar nëpër procese të tilla në Serbi.
Si arriti të arratisej nga Serbia Zeqë Bislimi pa asnjë dokument identiteti?
Duke treguar pjesën e historikut të tij që ka të bëjë me ikjen nga Serbia ,Zeqa përshkuan ikjen dhe thotë:
“Disa ditë dola në krye të arës, e që kishte pamjen kah rruga ku shihja disa kamionë me tabela “Proba”. Mendoja me vete se çka mund të kishin ata kamionë me ato tabela…
E kisha lëshuar mjekrën dhe kisha në kokë një shajkajkë (kapelë sebe). Nuk dallohesha me asgjë që isha shqiptar, pos atyre që ishin në rrethin e Brajkoviqit.
I shihja kamionët që ktheheshin në drejtimin e Kosovës. Dola në rrugë dhe mendova të flisja shqip apo serbisht. Nga larg më dukeshin si shqiptarë, por nuk isha i sigurt.
E zbulova gjuhën e tyre, duke i pyetur me gjeste mos po shkonin për në Kosovë. Njëri prej tyre më tha po. Ata nuk dinin se unë isha shqiptar dhe nuk do të besonin edhe po t’u thosha…
Në një moment, kur besuan se isha shqiptar, i pyeta a ishin vërtet shqiptarë dhe ata thanë po…
Më pyetën se çka bëja unë aty? U tregova se jam që moti peng, 11 vjet. I luta t’më ndihmonin të ikja me ta.
Ata më pyetën prej nga isha dhe kënd e kisha në Kosovë. U tregova çdo gjë…
Më premtuan t’më merrnin herën tjetër dhe më thanë se nuk e kisha provokim.
E kisha një numër telefoni të një kushëriri tim dhe ata me të hyrë në Kosovë e kishin thirrur atë numër. E thërrasin Selamiun në Gjilan, i kishin treguar për mua…Pastaj ishin takuar në Hotelin “Kristal” në Gjilan ku kishin folur për mua dhe historinë time.
Pastaj, kishin bërë planin si të më merrnin e të më kthenin në Kosovës…
Selamiu u kishte premtuar se do qëndronte pas meje me çdo gjë që ishte e nevojshme, meqenëse ata të kamionëve nuk kishin kërkuar asgjë, pos të siguroheshin se nuk ishte provokim.
Një ditë kur pash se kishin ardhur, u ofrova afër tyre, kinse punoja diçka…
Më thanë, atë natë të bëhesha gati dhe të dilja në rrugë, pasi do më bënin zgjidhje, sikur kishin premtuar “për rizanë e Zotit”.
Takimin e lamë në orën 19.30 minuta në mbrëmje. Nga gëzimi hyra të rruhem dhe të rregullohem pakëz pas 11 vjetësh.
Në shtëpinë e Brajkoviqit u bënë të dyshimtë pse po e hiqja mjekrën që e kisha pasur maskë shumë kohë, për t’i shpëtuar të keqes.
Në rimorkion e kamionit, kishin ngarkuar një gyp kanalizimi dhe më futën në të. Mbi gyp ngarkuan zall si gjithmonë.
Isha tepër i frikësuar dhe stresuar si do ta kalonim kufirin, po u zura e dija se nuk kisha shpëtim. Do t’më vrisnin qind për qind.
Në fund të fundit, nuk e kisha asnjë dokument se kush isha…
Pas shumë kohë vozitjeje, kamioni qëndroi në vend një kohë. Kishte qenë kufiri e që nuk e dija unë, sepse isha në errësirë të plotë, në gypin e kanalizimit dhe nga jashtë nuk dëgjohej zë.
Kur u nis kamioni, eci nja disa minuta dhe u ndal. Tek atëherë e dëgjova një zë se ishim në Kosovë. Nuk mund ta besoja dhe më dukej se isha në një ëndërr.
Më nxorën nga zalli dhe më morën në kabinë. Kur dola nga zalli, isha tërësisht i djersitur, sepse ajri veç kishte filluar të më mungonte.
Pas pak thirri në telefon Selamiu dhe ata i treguan se tashmë ishim në Kosovë e ai u tha se do të vinte të më merrte, por ata të kamionit i thanë se ashtu qysh e kemi marr në Serbi do ta sillnin në Ferizaj.
Në orën një pas mesnate, arritëm në Ferizaj, ku na priste Selamiu.
Kishte bërë darkë në shtëpi, por nga lodhja askush nuk hëngrëm darkë./Telegram News