Rexhe Hysen Berisha, në Gjermani kishte punuar me një grup oficerësh amerikanë të CIA-s për zbarkim në Shqipëri e përmbysje të Enver Hoxhës. Ndërroi jetë më 22 shtator 2014 në vendlindje në Novosellë të Pejës. Shteti amerikan pas 50 vitesh, i solli dekoratën e luftës dhe 35 mijë dollarë.
Më 17 dhjetor 2014, Samiu i biri i Rexhë Hysen Berishës nga Novosella e Pejës, tregon se babait , dhuratat i erdhën nga SHBA tek pas rënies së Jugosllavisë, me të cilat para e ndërtuan shtëpinë e re, pasi të vjetrën e dogjën forcat serbe në vitin 1999.
Për ta dëshmuar punën e Rexhë Hsyen Berishës për CIA-n, pesë veta me uniforma ushtarake amerikane e kishin kërkuar Rexhën në shtëpi dhe e tëra ndodhte në një kohë kur vetë Rexhë Berisha kishte menduar se kontributi i tij për CIA-n, ishte harruar.
Pse kishin ardhur ushtarët me uniforma amerikane nga SHBA-ja ta kërkonin në Novosellë të Pejës plakun Rexhë Berisha pas 50 vitesh?
Ata kishin ardhur me urdhër të shtetit për ta nderuar me dekoratë të Agjencisë së Inteligjencës Amerikane (CIA), dekoratë që sot e atë ditë e mban shtëpia e re e Rexhës, që sot e trashëgon djali i tij Samiu.
Ndër tjerash, amerikanët e kishin vënë në vendin e vet historinë e plakut duke i dhuruar atij pllakën falënderuese të CIA-s dhe 35 mijë dollarë pagesë në një zarf besueshmërisht të mbyllur sipas rregullit të CIA-s.
Me një akt të tillë amerikan që i erdhën në shtëpi plakut tashmë në gjendje të sëmurë, Rexhë Hysen Berisha, u bë njeri prestigjioz, duke marrë epitetin e njeriut që dikur nuk ishte kot oficer i lartë gjermano-amerikan me misione të vështira që sot mund të shihen vetëm në filmat aksion.
Rexhë Hysen Berisha ishte akredituar nga CIA si oficer për një aksion special në Shqipëri që bashkë me një agjenturë anglo-amerikane ta rrëzonte pushtetin komunist me Enver Hoxhën në krye.
Ishte ndër të paktët oficerë që nuk u kapën në Shqipëri për t’u ekzekutuar.
Kush ishte në fakt Rexhë Hysen Berisha dhe si u largua nga Kosova në Greqi, Itali e Gjermani?
Patrioti Rexhë Berisha u lind më 14 mars të vitit 1918 në fshatin Novosellë të Pejës, që pas luftës njihet si fshati Fierzë i Pejës, një fshat që dha shumë patriotë të kauzës kombëtare për çlirim nga Serbia dhe Mali i Zi.
Rexhë Hysen Berisha ishte vetë i treti fëmijë, një vëlla e dy motra.
Më 6 qershor të vitit 1943 u inkuadrua në batalionin për diversantë të njohur si “SS Skënderebu” me të cilin batalion, luftoi kundër shumë forcave çetnike në Mal të Zi, në Plavë e Guci, në Beran e vende tjera, nën shpresat e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe trevat e copëtuara të trojeve etnike.
Në fillim të karrierës punoj me gardën e xhandarmërisë duke u lidhur me Italinë dhe Gjermaninë.
Më 1944 ju bashkua grupit prej 13 vetash të Ballit Kombëtar nga fshati Novosellë dhe u ngjit në malet e Radacit duke u pozicionuar në shpellën mbi burimin e Drinit të Bardhë, e njohur si “Shpella e Bazdanit”, ku qëndroi një vit heroikisht i mbështetur nga populli.
Në vitin 1945 ky grup prej 50 vetash pas një lufte me organet e shtetit të Jugosllavisë mori rrugën për në Greqi dhe gjatë rrugës grupi zhvilloi shumë luftëra duke humbur njerëz gjatë rrugës në përleshje me çetnikët.
Pas shumë luftërave Rexhë Berisha arriti në Greqi e prej aty në Itali e Gjermani. Njihet nga divizionet gjermane si njeriu më i fortë që kanë pasur formacionet gjermane ndonjëherë.
Me arritjen në Gjermani Rexhë Berisha u fut në strategjinë për çlirimin e Shqipërisë nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, udhëhequr nga Shërbimi Sekret Britanik “M16”, shërbim në bashkëpunim me CIA-n.
Rexhë Berisha ushtrohej për diversant
Focra dhe shkathtësia e lartë fizike u bënë shkas që Rexhë Hysen Berisha të trajnohej në shërbimet për diversione.
Shenimet që erdhën për Rexhën dhe i biri Samiu thonë:
“Rexha ishte pjesë e një programi të veçantë amerikano-britanik për luftime në male dhe në luftime me rrethana të veçanta që i përshtateshin terrenit në Shqipëri ku ai do të zbarkonte dhe të gjente shqiptarë që ta rrëzonte Enver Hoxhën nga pushteti .
Ishte regjim që perëndimi nuk e donte në Ballkan, sepse SHBA shtrinte ndikimin në këtë pjesë Evrope kundrejt Bashkimit Sovjetik.
Për aso rrethanash ishte ushtruar Rexhë Berisha pa iu treguar shumë fëmijëve pasi ishte marrë me dhjetëra herë në pyetje nga UDB-ja edhe pasi kishte vuajtur dënimin me burg në Jugosllavi.
Kur shqiptarët e Kosovës e donin Enver Hoxhën, Rexhë Berisha e urrente me tërë shpirtin.
Grupi diversant përbëhej nga katër veta: Rexhë Berisha, Halil Nerguti, Miftar Maloku dhe Ramadan Zejna nga Kukësi.
Desanti i grupit është kryer në muajin nëntor të vitit 1949, kohë kur Rexha e dinte mirë anglishten, italishten dhe greqishten.
Edhe dy grupe tjera kishin zbarkuar në Shqipëri në po këso misioni por ishin kapur nga ushtarë e Enver Hoxhës dhe ishin pushkatuar.
Shërbimi inteligjent shqiptar ndihmohej në Shqipëri nga rusët dhe secili diversant që kapej ai pushkatohej.
Secili që zbarkonte në Shqipëri kishte me vete “pilulën e vdekjes” që do ta pinte për një vdekje të shpejtë pa dhënë detaje tjera.
Rexhë Hysen Berisha, kishte shpëtuar gjallë fal gabimit të pilotit që e kishte lëshuar gabimisht me parashutë.
Kishte zbarkuar në malet e Tropojës, ndërkohë që shqiptarët dhe rusët prisnin diversantët atje ku ishin kapur dy grupet tjera.
Ky gabim i pilotit kishte dalë të ishte dhuratë për Rexhë Berishën në Shqipëri, ku për dy vjet Rexhë Berisha kishte bërë përpjekje t’i masivizonte shqiptarët kundër Enver Hoxhës duke qenë i pozicionuar në Hasin e Shqipërisë por pa sukses.
Pasi kishin rënë në gjurmët shqiptare , amerikanët e kishin urdhëruar grupin të kthehej në Jugosllavi për shkak se Jugosllavia ishte bërë armike e Shqipërisë. Rexhë Hysen Berisha ishte kapur nga regjimi jugosllav duke mbajtur burg disa vite ku edhe kthehet në Novosellë të Pejës duke u mbikëqyrur strikt nga regjimi./Telegram News