Fshati me 150 shtëpi dhe me 33 të vrarë, Dragobili i Malishevës, i pari përjetoi lirinë e Kosovës në kohë lufte, pas fortifikimit të UÇK-së, që përveç mbrojtjes së popullatës së rrezikuar nga masakrat çetnike, mbrojti edhe diplomatët ndërkombëtarë si Kristofer Hill, Shën Berns dhe Volfgang Petriç.
Aty u tubua edhe Drejtoria Politike e UÇK-së, e cila përgatiti konceptin dhe përmbajtjen e Konferencës së Rambujesë. Shtëpia që iu vu pllaka me emrin KDOM e që qëndronte në funksion të marrjes dhe transmetimit të informatave nga terni, ishte shtëpia më e bukur e asaj kohe në Malishevë me rrethinë që u vu në shërbim të interesave kombëtare në rrethana lufte të UÇK-së kundër forcave serbe.
Sot, në ballin lindor të saj, qëndron krenare pllaka në të cilën shkruan kush qëndroi aty para dhe gjatë luftës dhe se shtëpia është bënë në mbrojtje të interesave komunale dhe ruhet si vlerë historike dhe kulturore e një kohe, që shënon ngjarjet dhe lëvizjet e progresit në Kosovë.
Isuf Paçarizi që është pronar i saj, tani jeton në Francë, por dikur nuk ishte e lehtë të jesh pronari i kësaj shtëpie, sepse ishte nën përcjellje dhe vëzhgim të rreptë të forcave të MUP-it serb.
Amerikanët ishin ata që e kishin vu këmbën të parët, për ta bërë me emër të madh dhe për t’i dhënë shtytje Kosovës në lëvizje dhe ecje përpara drejt pavarësisë, por deri te pavarësia, duhej kaluar nëpër luftë, e lufta veç kishte filluar, por zyrtarisht nuk ishte shpallur, kur diplomatë amerikanë dhe evropianë, kishin filluar vizitat dhe bisedat me krerët politiko-ushtarak të UÇK-së, megjithatë Serbia synonte të shfaqte dhunë dhe terror mbi popullatën shqiptare që deri atëherë nuk mbrohej nga ndonjë forcë ndërkombëtare.
Kishte diçka që dukej shumë ngazëllyese në këtë pjesë që quhej mesi i Kosovës ku amerikanët kishin idenë se në këtë rajon që quhej “Shteti i Malishevës”, duhej hapur një zyrë qendrore ku raportohej zyrtarisht për gjithë atë që ndodhte në Kosovë, por me theks të veçantë këtu ku Malisheva kishte marrë epitetin e një shteti të çliruar ku forcat serbe nuk e kishin lehtë të hynin as me tanke.
Ishte Bërns, diplomati të cilit i ishte besuar të merrej me këtë zyrë të quajtur KDOM e që ishte nën Misionin Vëzhgues në Kosovë.
Ishte hapur në muajin gusht të vitit 1998 dhe kishte qëndruar deri në muajin mars të vitit 1999, kur zyrtarisht ishte shpallur bombardimi i Jugosllavisë që filloi më 24 mars të vitit 1999.
Si dukej zyra që sigurohej nga forcat e UÇK-së?
Se kjo zyrë sigurohej 24 orë nga forcat e UÇK-së tregon Zyber Paçarizi i vëllai i pronarit Isufit.
Zyberi që ishte ato vite drejtor i Shkollës Fillore “Emin Duraku” në Dragobil, rreth hapjes së kësaj zyre në oborrin e vëllait të tij, thotë:
“Zyra u hap për qëllime të raportimit të sigurisë në Kosovë, veçmas në këtë pjesë të Kosovës. U vendos në këtë shtëpi, sepse ishte shtëpia më e bukur në këtë anë.
Edhe tani, është po ajo shtëpi që ishte dikur dhe nuk është bërë asnjë ndryshim i saj. Kjo tabelë, e që është vendosur në ballë shtëpie, tregon se në vitin 1998-1999 KDOM-i ishte vendosur brenda saj.
Ishte Bërns në krye të saj dhe këtu tri herë kishte qenë diplomati Kristofer Hill, por ka qenë disa herë edhe Viliam Voker, i akredituari i Misionit Verifikues amerikan në Kosovë. Përveç tyre, kanë qenë brenda saj edhe shumë diplomatë amerikanë dhe evropianë, e gjithashtu janë bërë shumë takime të rëndësishme për punë sigurie, por edhe njoftime rreth gjendjes në Kosovë, pak para se të hynte Kosova në luftë zyrtarisht.
Fillimisht dukej se në këtë shtëpi, nuk kishte ndonjë rrezik nga forcat serbe, por e dimë se shtëpia ishte 24 orë nën përcjellje të serbëve dhe Beogradi zyrtar, donte të dinte se çka ndodhte brenda saj, kush hynte dhe kush dilte nga aty.
Neve si familjarë, askush nuk na ka thënë kurrë se jeta jonë ishte në rrezik, por shembulli i mëvonshëm i Suharekës tregonte se masakrimi i familjes Berisha ndodhi pikërisht për faktin se ata kishin lëshuar shtëpinë për Misionin Verifikues dhe po atë fat mund ta kishim pasur edhe ne.
Në fakt, kishte një dallim, sepse ne këtu e kishim UÇK-në tonë, e cila kishte nën kontroll të plotë situatën dhe ajo mbikëqyrte zonën.
Popullata e Dragobilit ishte vendosur në Pagarushë që ishte më në thellësi të territorit dhe Dragoboli ishte nën kontrollin e UÇK-së. Kristofer Hill e kishte kontaktuar tri herë drejtorinë politike të UÇK-së, e në po këtë shtëpi vinte shpesh edhe diplomati Volfang Petriq, një njeri shumë i rëndësishëm për zhvillimet që ndodhin në raport me ngjarjet Kosovë-Serbi .
Aty ishte bërë gjithë diplomacia e terenit dhe ishin takuar diplomatët duke koordinuar punët e mëdha.
Mbi të gjitha në këtë shtëpi, tuboheshin materialet nga tereni dhe u dërgoheshin fuqive të mëdha nëpër botë”, thotë Zyberi.
Dragobili, vendi ku u përgatit pjesa politike e UÇK-së për Konferencën e Rambujesë
“Kreu politik i UÇK-së, tubohej në shtëpinë e Isuf Paçarizit në Dragobil. Drejtoria politike e UÇK-së ishte tubuar në këtë shtëpi dhe me po ato qëndrime që ishin marrë këtu, kishin udhëtuar për në Rambuje.
Kur vinin diplomatët e huaj, por edhe liderët e UÇK-së, shtëpia sigurohej nga sigurimi i UÇK-së, ku rruga mbushej forca të UÇK-së. Në çdo pjesë rruge dhe, rreth mureve dhe pas mureve ishin forcat e UÇK-së, diçka që ishte shumë madhështore të shihej atëherë dhe të përjetohej, e posaçërisht shpesh të huajt magjepseshin me një sigurim të tillë që dukej më i fuqishëm në Dragobil se në Prishtinë.
Kur vinin diplomatët e huaj, popullata e këtushme ndjehej më e sigurte, sepse ishte rajoni ku për herë të parë përjetohej liria dhe ky lajm i përjetimit të lirisë, përhapej në gjithë Kosovën si diçka që lakmohej nga të gjithë”, thotë Zyberi.
Hyrja “triumfale” serbe pas datës 23 mars 1999
Në muajin mars të vitit 1999 gjërat kishin eskaluar. Dukej qartë se lufta po zyrtarizohej dhe me largimin e KDOM-it, në oborrin e shtëpisë ishin futur forcat e serbe, të cilat, siç tregohej para kamerave, llogaritej si hyrje triumfale marrja e kontrollit të kësaj shtëpie.
Ata e dogjën shtëpinë, duke i treguar opinionit se këtu kishin qëndruar amerikanët dhe se këtu ishte bërë një politikë e UÇK-së para Rambujesë.
Sidoçoftë, Dragobili ka dhënë 33 njerëz në luftë, prej tyre 5 ushtarë dhe 3 të zhdukur.
Dragobili, fshat me 150 shtëpi, ishte çerdhe e UÇK-së dhe lirisë së Malishevës, që e përjetoi e para lirinë e Kosovës./Telegram News