Rrëfimi i nënë Xhemiles vjen nga Krusha e Vogël, fshati që u dogj tërësisht në maj të vitit 1999 dhe që mbeti pa burra.
Nënë Xhemilja që jetonte në një tendë pas lufte thotë:
“Pranimin e lajmit e kemi përcjellë me nxjerrje flokësh nga kokat tona, kemi qarë e bërtitur disa herë deri sa jemi alivanosur në mënyrë të stër përsëritur.
Nga personi i Celinës, kemi kuptuar se meshkujt të zënë në përrua, i kanë vrarë të gjithë dhe se gjatë aktit të krimit, ata që kanë qëndruar me kokë në tokë, e kanë përjetuar tymin e kutërbimit të rëndë, që do të thotë se i kanë djegur kufomat, tregon Xhemilja, që tani jeton me vajzat Shpresën dhe Naimen, si dhe mbesën e vogël Blertën jetime dhe djalin Azemin.
“Kam qarë shumë në Burrel, kam vuajtur e vajtuar, por në një moment më është kujtuar se vajzat do të çmenden. Pastaj, për të mos më parë askush kam shkuar përsëri te burgu i Burrelit dhe kam qarë e qarë…
Sa herë kam thënë me vete, sa e sa herë i kam quar fjalë burrit të vrarë Zejnës duke fole me vete, i kam dërguar porosi dhe i kam thënë:
“Ore Zejnë, unë gruaja jote, i shpëtova pesë anëtarë të familjes, e ti nuk munde t’i ruash dy dritat e syve tu”!
Nusen e djalit, nënën e Blertës së vogël e përcolla nga shtëpia. Ajo doli përgjithmonë, duke ma lënë mbesën e vogël!
I thash, je e re vazhdoje jetën tënde aq sa mundesh! Kur ja thashë këto fjalë, mu këput zemra edhe një herë!
Mu duk asgjë më pak se kur m’i vranë djemtë! Ata shkuan me babanë vet, e nusja doli e gjallë nga shtëpia duke ma lënë në prehër Blertën.
Ajo qau me lot që i binin përgjatë gjithë trupit kur e la pjesën e shpirtit të vet në prehërin tim, vajzën Blertën, e unë qava që më doli nusja e djalit.
Me Blertën e vogël jetime dhe me djalin Azemin gjashtë muajsh, po bëhem edhe një herë nënë në pleqëri!
E mora këtë djalë në jetimore që vajzat të kenë ku të vinë në shtëpi, kur të shkojnë te burrat e vet, pasi të vdes unë.
Në shtëpitë tona ka shumë vuajtje e dhembje. Këto shtëpi, nuk u përngjajnë më shtëpive ku jetojnë njerëzit!
Na ka ndryshuar jeta. Sa herë vjen diçka si gëzim, ne qajmë, por edhe kur vjen hidhërimi ne qajmë, e çkado që bëjmë, e bëjmë duke qarë.
Më së vështiri e kam kur tubohen vajzat dhe nisin të qajnë….
Kur fillon vaji i tyre për të vrarët, ne palosemi për së gjalli në tokën e zezë”, përfundon nënë Xhemilja./TelegramNews/