Kryeministri Hristijan Mickoski me rastin e 33 vjetorit të pavarësisë së shtetit promovoi 10 parimet në baze të te cilave duhet të funksionojë shteti. Mickoski tha se do te vazhdoje lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe sundimit i së drejtës. Ai kërkoi unitet kombëtar mbi çështjet që përbejnë interes shtetërore. Kreu i ekzekutivit përsëriti se shpall moratorium ndaj temave që nxisin tensione ndëretnike.
Mickovski nuk la pa e thumbuar edhe opozitën dhe theksoi se ashtu siç premtoi para zgjedhjeve, BDI-në e çoi në opozitë, ndërkaq LSDM-së i bëri thirrje për reformim.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova në mesazhin e urimit për qytetarët me rastin e 8 shtatorit – Ditës së Pavarësisë së RMV-së tha se entuziazmi dhe shpresa, për fat të keq, janë lënë në hije nga sfidat e shumta me të cilat jemi përballur si vend, është detyra jonë të lëmë mënjanë ndarjet dhe të bashkohemi rreth të mirës së përbashkët dhe interesit publik.
“Ne duhet të investojmë të gjitha kapacitetet tona personale dhe institucionale për ta bërë Republikën maqedonase një vend të denjë për të jetuar, i cili do t’u japë shanse të barabarta për përparim të gjithë qytetarëve të saj, një republikë që do të kujdeset për më të mirët, inkluzive për të ndryshmit, në solidaritet me kategoritë në nevojë dhe e drejtë për të gjithë. Vetëm me evropianizimin e shtetit, me shtet ligjor dhe me luftën kundër korrupsionit, me institucione funksionale, me një ekonomi konkurruese dhe sistem meritor, do t’u mundësojmë brezave të rinj që të drejtën për të kërkuar fatin ta realizojnë në shtëpi”, tha Gordana Siljanovska Davkova – Presidente e RMV-së.
Maqedonia e Veriut sot shënon 33-vjetorin e pavarësisë së saj nga ish-Federata jugosllave, përmes një referendumi popullor, me të cilin u shpall shtet i pavarur dhe sovran në vitin 1991./Alsat