Kanë përfunduar dy ngjarjet kryesore të futbollit në vitin 2024 si Kampionati Evropian ‘Euro 2024’ si dhe Kupa e Amerikës me Spanjën dhe Argjentinën si fituese.
Me të përfunduar këto dy gara, ka pësuar ndryshime të mëdha edhe lista e lojtarëve favoritë për çmimin më të madh individual për futbollistë, ‘Topi i Artë’.
Ylli brazilian i Real Madridit, Vinicius Junior shihet si favoriti numër një në pozitën e parë, derisa pas triumfit të Spanjës është ngjitur në listë Rodri që ndodhet menjëherë pas sulmuesit të Los Blancos.
Në pozitën e tretë është mesfushori anglez Jude Bellingham, derisa ngritje të madhe në listë ka pasur sensacioni Lamine Yamal që tani ndodhet në pozitën e katër.
Kylian Mbappe është i pesti duke lënë mbrapa tij bashkëlojtarin Dani Carvajal në pozitën e gjashtë.
Futbollisti më i mirë në botë për momentin, Lionel Messi është i shtati, derisa bashkëkombësi i tij Lautaro Martinez është ngritur në vendin e tetë.
Top 10-shja mbyllet me dy anglezët Harry Kane e Phil Foden.
Ndërkohë në vendin e 11-të është Toni Kroos, duke lënë mbrapa dy yjet e Arsenalit, Bukayo Saka e Declan Rice.
Mesfushori shqiptar Granit Xhaka është në pozitën e 18-të, derisa në vendin e 20-të ndodhet pesë herë fituesi i Topit të Artë, Cristiano Ronaldo.