Qeveria e Kosovës ka dërguar një raport 48-faqësh në Bashkimin Evropian dhe secilin shtet anëtar të saj qysh në vitin e kaluar në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë.
Kështu deklaroi zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, duke kundërpërgjigjur Pjeter Stano të BE-së për mosdorëzimin e raportit.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, kemi përpiluar një raport 48-faqësh në lidhje me sulmin terrorist dhe paramilitar, të cilin ia kemi dorëzuar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtar qysh në vitin e kaluar. Këtë informacion besoj se zëdhënësi Stano duhet ta ketë,” tha Kryeziu.
Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për vonesën në procedurat ligjore në Kosovë lidhur me sulmin në Banjskë.
“Është shqetësuese që pas 9 muajve ende nuk ka aktakuzë nga prokuroria për Millan Radoiçiq dhe që bashkësia ndërkombëtare, përfshirë BE-në, nuk ka ndërmarrë masa ndaj Serbisë, përkundër fakteve për përfshirjen e saj në sulmin e 24 shtatorit 2023. Radoiçiq vazhdon të mbetet i lirë dhe rrezik për sigurinë dhe paqen në rajon,” vijoi ai.