Rashit Qalaj, deputet i PDK-së, ka folur në lidhje me veriun e Kosovës.
Në një intervistë për FrontOnline, Qalaj ka vlerësuar se ka pasur operacione që do të ishin realizuar ndryshe.
“Policia ka qenë shumë e angazhuar në pjesën veriore të vendit dhe ato angazhime kanë qenë të nevojshme për mbulimin e terrenit. Atje ka pasur një vakum institucional dhe Policia ka qenë e detyruar të sjellë policë nga rajonet dhe stacionet tjera, duke e ngarkuar kështu Policinë e Kosovës me shumë punë dhe duke ndikuar në sigurinë e vendit. Pas kësaj, ka pasur më pak policë në stacionet e tjera, ndërsa në veri ka pasur një numër të shtuar të policëve për të mbuluar stacionet, që ka kërkuar operacione të ndryshme. Disa kanë qenë të suksesshme, ndërsa ka pasur edhe operacione që do të ishin realizuar ndryshe. Kjo nuk varet nga policët, por nga hierarkia komanduese dhe menaxhmenti i policisë”, theksoi ish-drejtori i Policisë.
Qalaj ka folur edhe në lidhje me ankesat e policëve.
“Mendoj që duhet të merret parasysh menaxhimi i orarit të policëve, pasi ka shumë ankesa se ata po punojnë në orar të zgjatur, që ndikon në lodhjen dhe shëndetin e tyre. Duhet të merren masa kreative që policët të jenë në gjendje të kryejnë shërbimet sa më mirë. Menaxhmenti ka përgjegjësinë për të bërë zgjedhjet e duhura dhe për të shmangur oraret e stërzgjatura. Mos të harrojmë se para disa ditëve ndodhi një aksident ku u lënduan gjashtë policë, dhe sipas meje, kjo ka qenë pasojë e orarit të stërzgjatur dhe lodhjes që ndodhi” theksoi ai.