Kuvendi i Kosovës ka thirrur sonte seancë të jashtëzakonshme pa i respektuar procedurat.
Në e-mailin që u është dërguar deputetëve është shkruar “Seancë e Jashtëzakonshme dt 05:12:2024, ora 20:10.”
Si agjendë përmendet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Gjykatën administrative.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se sonte “po ndodhë puçi parlamentar dhe shembja e demokracisë”.
Kjo pasi thotë se partia në pushtet ka thirrur seancë të jashtëzakonshme duke mos i respektuar procedurat.
“Sonte po ndodhë puçi parlamentar dhe shembja e demokracisë! Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të respektojë procedurat e rregullta të thirrjes së seancave parlamentare. Shmangia nga logjika normale parlamentare në pikë të natës, pa asnjë urgjencë është puç parlamentar dhe kontrabantim i Ligjeve pa konsultimet që i ka obligim ti bëjë Kuvendi”, ka shkruar ai në Facebook.
Kërkesën për seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës mund ta bëjë presidentja e Republikës, kryeministri, një ose më shumë grupe parlamentare që përfaqësojnë jo më pak se një të tretën e deputetëve, dhe pastaj e thërret Kryesia e Kuvendit.
Kërkesa për mbledhje të jashtëzakonshme duhet të përmbajë çështjen që do të shqyrtohet dhe arsyetimin së përse është e ngutshme dhe e rëndësishme.