Frika për një Luftë të Tretë Botërore është në rritje, me paralajmërime për një mundësi që Irani të ndërmarrë një sulm të rëndë ndaj Izraelit në ditët e ardhshme.
Ekspertët paralajmërojnë për një mundësi të rritjes së tensioneve globale, duke shtuar kështu frikën për një konflikt të përmasave botërore. Ky shqetësim ka ardhur pas vrasjes së Ismail Hanijas, shefit të Hamasit në Teheran, dhe Fuad Shukrit, komandant i Hezbollahut në Beirut.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë të larta, dhe ka shqetësime të mëdha për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit, duke e përfshirë atë në një luftë të mundshme botërore, për shkak të përfshirjes së fuqive bërthamore. Por sa e realiste është kjo frikë dhe si mund të parandalohet?
Sa i rëndë mund të jetë konflikti i mundshëm në Lindjen e Mesme?
Ekspertët janë të bashkuar në shqetësimet e tyre. Dan Smith, drejtori i Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen (Sipri) në Stockholm, thekson se nëse Izraeli ndjehet i kërcënuar në mënyrë ekzistenciale, ka një rrezik të konsiderueshëm që të përdorë armë bërthamore, duke shkaktuar kështu shkatërrim dhe vuajtje të mëdha. Michel Wyss, ekspert në Akademinë Ushtarake të ETH Zürich, parashikon se një sulm iranian mund të jetë më i gjerë se në prill, megjithatë është e vështirë të spekulohet mbi përmasat e mundshme të konfliktit, përcjell telegram News.
Teherani ka shpallur se do të hakmerret për vrasjen e Ismail Hanijas, por nuk synon përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
Pse është rritur tani frika për një Luftë të Tretë Botërore?
Përpara se të fillonte konflikti në Ukrainë në shkurt 2022, kishte paralajmërime për një Luftë të Tretë Botërore. Deri tani, kemi parë vetëm një përshkallëzim të lokalizuar dhe kërcënime të përgjithshme. Megjithatë, tani është shfaqur një tjetër vatër tensioni në të cilën janë të përfshira fuqitë e mëdha.
Tregjet financiare janë një indikator i rëndësishëm i gjendjes globale dhe tani janë në kaos. Tregjet financiarë filluan javën me humbje të mëdha për shkak të shqetësimeve për një recesion në SHBA, si dhe për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme. Regjimi iranian ka refuzuar përpjekjet për ndërmjetësim nga vendet fqinjë dhe ka premtuar se bota do të jetë dëshmitare e “skenave interesante” në orët e ardhshme.
Kush paralajmëron për një Luftë të Tretë Botërore?
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, e sheh vendin e tij në një situatë të ngjashme me një Luftë të Tretë Botërore kundër Islamit radikal. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjithashtu ka paralajmëruar për rrezikun e një konflikti të tillë për shkak të krizës në Lindjen e Mesme. Disa qeveri evropiane flasin për një mundësi të një konflikti të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Edhe Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur shqetësim për një Luftë të Tretë Botërore, duke thënë se një konflikt i gjerë me NATO-n nuk është i përjashtuar dhe se bota mund të jetë vetëm një hap larg një lufte të tillë.
Sa real është rreziku për një Luftë të Tretë Botërore?
Herfried Münkler, politolog gjerman që ka këshilluar edhe kancelaren Angela Merkel, e konsideron rrezikun si “real”. Ai thotë se me dy luftëra ku janë të përfshira fuqitë bërthamore – lufta në Ukrainë dhe konflikti në Lindjen e Mesme – ka një mundësi që një konflikt të përshkallëzohet në një luftë globale dhe bërthamore.
Megjithatë, Dan Smith, kreu i Sipri, e sheh rrezikun si të vogël, duke e vlerësuar atë nën 10%. Ai beson se ky është një konflikt që askush nuk dëshiron, dhe fuqitë e mëdha nuk synojnë shkatërrimin e ndërsjellë.
Theodor H. Winkler, ish-këshilltar për sigurinë në Departamentin e Mbrojtjes të Zvicrës, parashikon se koha më e rrezikshme mund të vijë në vitin 2027, nëse Rusia fiton në Ukrainë, Kina sulmon Tajvanin, dhe konflikte të tjera të rëndësishme bashkohen.
Një ndodhi teknike aksidentale ose një gabim mund të nxisë një luftë të tillë, thotë Dan Smith. Një “aksident teknik” mund të ndodhë për shkak të ndonjë problemeje në softuer, e cila, për shkak të keqkuptimeve dhe moskomunikimit, mund të çojë në një katastrofë që tejkalon çdo imagjinatë.
Si mund të parandalohet një Luftë e Tretë Botërore tani?
Eksperti i paqes Dan Smith sugjeron se prioriteti më i rëndësishëm është të sigurohet një komunikim i qartë mes fuqive bërthamore dhe të reduktohen armiqësitë nëse është e mundur. /TelegramNews/