Punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës kanë protestuar të martën para parlamentit për shkak të pagave të ulëta.
“Kemi punuar si skllevër mjaftë më, sepse nuk po mund t’ia dalim”, “Nuk mundemi me punua me 275 euro kur kemi me udhëtua e me pagua ushqim”. Këto ishin disa nga ankesat e punëtorëve teknikë të Kuvendit, të cilët po kërkojnë që paga nga 275 euro të rritet në 500 euro.
E për këtë pagë të ulët është kritikuar kompania kontraktuese, ku sipas Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovës, kësaj kompanie private Kuvendi i Kosovës ia paguan 18 mijë euro në muaj, ku 9 mijë euro i mbesin fitim kompanisë.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovës, Jusuf Azemi theksoi se ‘problemi për pagat e ulëta është tek kompania e jo tek Kuvendi’. Azemi ka shtuar se nëse kjo kërkesë për rritjen e pagave nuk plotësohet atëherë punëtorët janë të detyruar të ndërpresin shërbimet e tyre.
“Kuvendi i Kosovës kompanisë i përcjellë 18 mijë euro brenda muajit për shërbimet që i kryejmë. Problemi është tek kompania që i kryen shërbimet, Kuvendi nuk është fajtor e as udhëheqës i saj. Nëse nuk reflekton pronari i kompanisë, ne sigurisht nga java tjetër me vendimin e punëtorëve do ta ndërpresim shërbimet tona. Shuma për të cilën e marrin punëtorët është 6 mijë euro që do të thotë tre herë më shumë merr buxhet pronari i kompanisë. Pronari i kompanisë brenda një muaji të fitojë nga ne 9 mijë euro dhe ne mos ta bëjmë së paku pagën tonë 450-500 euro. Kemi punuar si skllevër mjaftë dhe më nuk po mundemi t’ia dalim. Me 275 euro ne nuk mund të mbajmë një familjarë tonin e lëre më 3-4 anëtarë të familjës”, ka thënë Azemi.
Ndërsa, përfaqësuesja e punëtorëve teknikë, Nazife Krasniqi është shprehur se qe gjashtë vjet paguhen me nga 275 euro në muaj, kurse sipas saj për këto vite pagat iu janë rritur vetëm dy herë nga 20 euro.
“Ne punojnë që 20 vite këtu. Ne nuk po kërkojmë asgjë me shumë vetëm aq sa na takon neve me ligj. Neve operatori ekonomik nuk na është përgjigjur, nuk mundemi me punua më me 275 euro kur kemi me udhëtua dhe për ushqim nuk po na mjaftojnë. Paguhemi që 6 vjet me këtë pagë dhe na u ka rritë paga vetëm dy herë nga 20 euro, dy herë për tetë vite”, është shprehur Krasniqi.
Po ashtu, një punëtore teknike në Kuvendin e Kosovës, Hanife Hyseni ka shtuar se edhe mjetet financiare për Kursime Pensionale në Trust, kjo kompani nuk iu ka paguar.
“Udhëtoj prej fshatit Stanovc. Rruga 30-35 më kushton, ushqimin duhet me e marrë nga shtëpia, kështu që asgjë në fund të muajit nuk më mbetët. Që 15 vite punoj këtu. Trustin nuk e kemi të paguar, 2023 tetë muaj është pa paguar, paratë janë ndal të Trustit. Këtë vit janë të paguar vetëm marsi dhe prilli”, ka shtuar ajO./KP