Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Gjilan, ka njoftuar se ka gjetur pas dyshimeve se një person i dyshuar është duke kultivuar bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa, ka ndërmarrë veprime operative dhe hetimore, të cilat kanë rezultuar me kryerjen e një bastisje dhe gjetjen e një sasie të bimëve të lartcekura.
Sipas njoftimit, të njëjtit i është bastisur edhe shtëpia në fshatin Mogillë të Kllokotit ku gjatë kësaj bastisje rreth 100 metra larg shtëpisë së tij, është gjetur një serrë në të cilën i njëjti dyshohet se kishte mbjellë rreth 28 bimë të shkurres së bimës Kanabis Sativa në gjatësi rreth 3 metra.
“Lidhur me rastin në vendin e ngjarjes kanë dalë Njësia e Forenzikës për procesim të vendit të ngjarjes, ku edhe në cilësi të provave materiale janë sekuestruar 3 bimë (mostra), ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit sasia tjetër është asgjësuar në vendin e ngjarjes përmes procesit të djegies, ku edhe është bërë “procesverbali mbi shkatërrimin e bimëve narkotike të llojit Kanabis Sativa”, thuhet në njoftim.
Derisa në konsultim me prokurorin kompetent i njëjti ka urdhëruar që pas intervistimit të të dyshuarit i njëjti të ndalohet për 48 orë, derisa njësitë përkatëse policore po vazhdojnë me procedurat e mëtejme hetimore.