Të premten është prezantuar raporti me titull “Kodi i Sjelljes së Deputetëve”. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Rockefeller Brothers Fund (RBF), e kanë prezantuar këtë raport në konferencë për media.
Hulumtimi shpalosë detaje nga raporti “Kodi i Sjelljes së Deputetëve”.
E hulumtuesi i lartë në këtë institut, Naim Jakaj tha se Kodi i sjelljes përbën dokumentin që formalisht do të rregullojë sjelljen e deputetëve duke përcaktuar çfarë konsiderohet sjellje e pranueshme dhe çfarë jo.
Sipas tij, synimi që përgjithësisht kanë kodet e sjelljes është krijimi i kulturës politike duke pasur korrektësinë, transparencën dhe ndershmërinë.
Siç tha ai, zbatimi i këtij kodi është ekskluzivisht i varur nga niveli i vullnetit politik dhe jo nga masat sanksionuese të përcaktuara me këtë kod. Por që siç tha ai për shkak të problemeve gjatë zhvillimit të seancave plenare, masat rrezikojnë të mbesin të pazbatuara, për shkak se në vetvete, norma nuk arrin të ketë sukses.
Derisa në lidhje me dënimet e larta financiare, Jakaj ka thënë se siç është përcaktuar me këtë kod deri në 50% të pagës bazë, dënimet mund të mos jenë një pengesë efektive për të gjithë deputetët, veçanërisht ata që janë të pasur në mënyrë të pavarur ose marrin të ardhura të konsiderueshme nga jashtë.
E në raste të caktuara, ai tha se ky sanksion mund të vlerësohet edhe si çmimi i një veprimi politik, i cili është në kundërshtim me dispozitat e këtij Kodi.
Njëri ndër qëllimet e kodit, fillimisht ai tha se duhet të jetë inkurajimi dhe mirëkuptimi rreth mënyrës së si deputetët i zbatojnë parimet dhe standardet që vet ata i miratojnë, pra reflektimi mbi parimet dhe sjellja e bazuar mbi to.