Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka mbajtur fjalim në Kuvendin e Kosovës me rastin e seancës së përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë.
Osmani tha se lidhja e Kosovës dhe Shqipërisë nuk është thjesht simbolike por një themel i pathyeshëm.
“Secili prej nesh duhet ta luajë rolin e tij në avancimin e vizionit të shteteve dhe të qytetarëve tonë brenda familjes së kombeve europiane. Lidhja e thellë është e rrënjosur në histori, në sakrificat e panumërta dhe në një vizion të përbashkët për të ardhmen. Kjo lidhje nuk është thjesht simbolike, është një themel i pathyeshëm mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë.
“Shqipëria dhe Kosova nuk janë vetëm dy shtete të pavarura, por janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh, të bashkuar nga një histori e lavdishme dhe një e ardhme e ndritur që po ndërtohet dita-ditës”.
Presidentja theksoi se duhet që vendet ta shfrytëzojnë momentin për ta ndërtuar unitetin.
“Ta shfrytëzojmë këtë moment për të ndërtuar unitetin, na përket të gjithëve, secili prej nesh ta luajë rolin e tij, kjo lidhje nuk është thjesht simbolike, por një themel që të ndërtojmë bashkëpunim më të madh, nuk janë vetëm dy shtet të pavarura, por dy shtete të pandashme, po ndërtohet një e ardhme më e ndritur, Shqipëria po bën hapa vendimtarë drejt BE, krenari jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë shqiptarët, shtetet tona mund të sigurojmë vendin e merituar në familjen evropiane”, tha Osmani.