Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Prokurorial të Kosovës(KPK), ka dekretuar 24 prokurorë të rinj, ku pothuajse gjysma prej tyre janë gra.
Në ceremoninë e betimit para presidentes, prokurorët e rinj janë betuar se do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës së Kosovës, ligjeve dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale.
E para e vendit ka folur para prokurorëve të rinj për integritetin, pavarësinë dhe punën profesionale që ata duhet ta bëjnë në përditshmërinë e tyre.
“Presidentja Osmani ndër të tjera ka theksuar rëndësinë e integritetit, pavarësisë, paanshmërisë dhe profesionalizmit të prokurorëve, si elemente thelbësore për një sistem që garanton drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Tutje e para e shtetit u ka bërë thirrje prokurorëve të rinj që të mos kenë kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit.