Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka publikuar një tabelë, ku ka renditur pagat aktuale në sektorin publik dhe se sa do të rriten këto paga, nëse ai bëhet kryeministër.
Ai ka premtuar se në javën e parë të qeverisjes do të bëjë koeficientin 150 euro, e rrjedhimisht paga për mësuesit do të bëhet 840 euro, për infermierët 825 euro, për policët 750 euro, për ushtarët, 840 euro, për zjarrfikësit 750 euro dhe për mjekët e përgjithshëm 1 mijë e 110 euro.
“Me krizën e madhe të inflacionit, me rritjen e paprecedentë të çmimeve, të gjithë shërbyesit publik meritojnë paga të dinjitetshme nga shteti për të cilin punojnë. Këto paga nuk i kanë sot! Këto paga do t’i kenë që nga java e parë e Qeverisë sonë! Ky është dallimi! Ky është ndryshimi!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se do të ketë rritje të pagave në sektorin publik nga janari. Këtë herë nuk është rritur vlera monetare e koeficientit, por koeficienti do të rritet për një njësi, e ndarë në dy faza: 0.5 e njësisë në janar dhe o.5 tjetër në korrik.