Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot ka nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) dhe Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT).
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit është bërë në ambientet e ASK-së nga Avni Kastrati (U.d. Kryeshef Ekzekutiv i ASK-së), Hekuran Murati (Ministër i MFPT-së) dhe Ahmet Ismajli (Guvernator i BQK-së).
Qëllimi i kësaj Marrëveshjeje Mirëkuptimi ndërmjet tri institucioneve përpiluese të statistikave zyrtare në Republikën e Kosovës, Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), si prodhuesi kryesor i zyrtar i statistikave në vend, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), si dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT)/Thesari i Kosovës, është bashkëpunimi institucional dhe përcakton rolet dhe përgjegjësitë e tri institucioneve nënshkruese në fushën e statistikave makroekonomike dhe financiare.
Kjo Marrëveshje është e rregulluar sipas ligjeve kombëtare, duke zbatuar standardet e parashikuara në aktet ligjore të BE-së, si dhe në Programet Zyrtare Vjetore për Sistemin Kombëtar Statistikor.
Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, z. Kastrati theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi ndërinstitucional për t’i përmbushur udhëzimet statistikore ndërkombëtare për cilësinë e të dhënave, siç përshkruhen në Marrëveshjen e Mirëkuptimit të tri institucioneve ASK-MFPT-BQK.
Në anën tjetër, Guvernatori i BQK-së, z. Ismaili tha se “kjo Marrëveshje formalisht e shënon një koordinim ndërinstitucional të të tri institucioneve prodhuese të statistikave për avancimin e sistemit statistikor të Kosovës nga Sistemi i Përgjithshëm i Shpërndarjes së të Dhënave (GDDS) në Standardin e Veçantë të Shpërndarjes së të Dhënave (SDDS), si një standard më i avancuar, i cili promovon përmirësimin e kualitetit, transparencës dhe disponueshmërisë së informatave statistikore.
Ndërkaq, Ministri Murati tha se “kjo Marrëveshjeje është edhe një hap drejt standardizimit dhe krahasimit ndërmjet platformave, si dhe ndërlidhja e këtyre platformave, duke evituar kështu edhe çështjen e privatësisë së të dhënave”.
Po ashtu, nënshkrimi i kësaj Marrëveshjeje përbën një hap të rëndësishëm në përmbushjen e zotimeve të vendit ndaj rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për avancimin e mëtejshëm të përpilimit dhe raportimit statistikor, të diskutuara dhe të dakorduara në takimet pranverore të FMN-së në Washingron D.C.
ASK-ja mbetet e përkushtuar në arritjen e standardeve më të larta të përpilimit dhe raportimit të të dhënave statistikore./eo