Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë ndërrimit të moteve të kursejnë energjinë elektrike kudo që është e mundur.
Edhe pse ka thënë se janë angazhuar që konsumatorët të kremtojnë me drita, kompania ka bërë thirrje që të kihet kujdes me ngrohjen me energji elektrike.
“U bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve që të kursejnë energjinë elektrike kudo që është e mundur. Kujdes të shtuar të kihet me ngrohjen me energji elektrike. Ftojmë konsumatorët që nëse kanë alternativa të tjera për ngrohje, t’i përdorin ato. Çdo përpjekje për kursim kontribuon në lehtësimin e ngarkesës dhe në përmirësimin e situatës për të gjithë”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
Në komunikatë janë përmendur pesë rajone që thuhet se paraqesin sfidë si pasojë e mbingarkesës.
“Aktualisht, sfidë vazhdon të mbetet rajoni i Ferizajt, Gjakovës, Rahovecit, Prizrenit dhe Gjilanit, si pasojë e mbingarkesave të shkaktuara. Në Malishevë, si rezultat i implementimit të super-përçuesit nga KEDS-i, kapacitetet janë dyfishuar dhe situata po qëndron më mirë krahasuar me vitet e kaluara”, thuhet në njoftim.