Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa, i ka reaguar kryetarit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, i cili ka folur për rritje prej rreth 30 për qind të pagave në sektorin publik, prejse Vetevendosje ka ardhur në pushtet.
Mustafa ka theksuar se edhe nëse ka një rritje të vogël, kjo nuk e kompenson rritjen e çmimeve.
Ai ka kërkuar nga deputeti i VV-së të flasë edhe për pagat në sektorin privat.
Mustafa në Facebook ka shkruar se pagat në sektorin privat kanë stagnuar për shkak të Qeverisë Kurti.
“Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja, paska folur për rritjen e pagave që kinse paska ndodhur gjatë kësaj qeverie. Ajo që deputeti Muja po e quan rritje të pagave në sektorin publik, nuk ka ka arritur as ta kompensojë rritjen e çmimeve e mos të flasim për përmirësim të pozitës financiare të shërbyesit publik. Madje, paradoksalisht, për disa kategori pagat u zvogëluan në kohën e rritjes së çmimeve. Në anën tjetër, Deputeti do të ishte mirë të na tregoj diçka rreth pagave në sektorin privat, të cilat kanë stagnuar si pasojë e bllokadës që ka pësuar ky sektor gjatë kësaj qeverie. Përndryshe, të dhënat e fundit qe janë në dispozicion e radhitin Kosovën në nivelin më të ulët të pagës mesatare në rajon”, ka shkruar Mustafa.