Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati është quajtur mashtrues nga opozita në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku është shqyrtuar raporti vjetor financiar i buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2023.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj i janë drejtuar ministrit Murati se çdo përgjigje që po e jep po e mashtron opinionin.
Por, ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se viti i kaluar ka shënuar rritje të të hyrave në nivel dyshifror.
“Viti i kaluar ka shënuar edhe një vit tjetër radhazi me rritje të të hyrave në nivel dyshifror. Pra, kemi rritje të të hyrave nga tatimet direkte dhe indirekte, kjo ka mundësuar që të zbatohet edhe plani sa i përket shpenzimeve, kryesisht tek mbulimi i kostos së ligjit të ri të pagave që kishte hyrë në fuqi gjatë vitit 2023. Tek tatimi në të ardhurat e korporatave kemi pas rritje rreth 16 për qind, krahasuar me vitin paraprak, pra të hyrat janë 185 milion euro, krahasuar me 160 milion të vitit paraprak. Tek tatimi në të ardhura personale, rritja ka qenë rreth 18 për qind, që konfirmon që ka pasur edhe rritje të punësimit, por edhe të pagave mesatare…Kjo tregon që ka pasur edhe aspekt të formalizimit, por edhe rritje të qarkullimit të bizneseve, sepse kemi rritje të TVSh-së të mbledhur në brendi të vendit. Kjo dëshmon se nuk qëndron shpeshherë ajo që është proklamuar se të hyrat po rriten si rezultat i inflacionit, vitin e kaluar inflacioni mesatar ka qenë 5 për qind, ndërkaq të hyrat nga TVSh kanë shënuar nivelin prej 12 për qind. Rritja më e madhe tek kategoritë e shpenzimeve buxhetore ka qenë tek shpenzimet kapitale, ku gjithsej janë shpenzuar 561 milion euro, krahasuar me 422 të vitit paraprak”, tha Murati.
Murati tha se edhe tek tatimi në pronë kishte një performancë më të mirë krahasim me vitin paraprak, ndërsa ka shtuar se ka pasur rënie edhe të borxhit publik ndaj GDP-së.
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti është shprehur i shqetësuar me gjendjen e sindikatave, derisa ka thënë se problem mbesin edhe blerjet shtetërore që nuk ka informacione se çfarë ka ndodhur me të njëjtat.
Hoti ka thënë se edhe rritja e fitimit të bankave është si rezultat i fitimit të bankave.
“Tek të ardhurat e korporatave ka pas një rritje, por nëse e sheh rritjen e fitimit të bankave, i bie që gjithë kjo rritje është rezultat i fitimit të bankave. Tek tatimi në pronë, nuk është si rezultat i rritjes së shkallës së pagesave, kur u rriten pa pritë faturat e janarit, në këtë drejtim duhet të merret ky aspekt, është rritja e ngarkesës tatimore, qytetarët kanë paguar edhe 12 milion, sepse ju është rritur fatura. Një gjë që është problematike, lëshimi i faturave për tokat bujqësore, pa bërë asnjë dallim a janë të punuara apo jo…Tek pagat dhe shtesat është përgjysmimi i pagesave për sindikatat, çfarë po ndodhë, që njerëzit kanë frikë, nuk paguajnë më në sindikatë…problem është tek blerjet shtetërore, 21 milion euro keni blerje shtetërore, nuk kemi asnjë informatë, as komisioni parlamentar nuk funksionon për të nxjerrë në pah çka ka ndodhë me blerjet e rezervave shtetërore, nuk e di sa kanë ardhë, bile nuk e dimë a kanë ardhë të gjitha. 31 milion avanc për mbrojtje dhe siguri, nuk ka ndodhë në të kaluarën…Drekat zyrtare, 1.9 milion euro kanë qenë në 2021, ndërsa 3.2 milion janë në vitin 2023…520 milion euro janë paguar për entitete publike në tre vitet e fundit, kurrë nuk ka ndodhur historikisht, ku kanë shkuar gjithë këto mjete”, tha Hoti.
Hoti po ashtu ka theksuar se janë dyfishuar importet në krahasim me vitin 2020/21, derisa ka shtuar se po ashtu nuk ka asnjë të hyrë nga privatizimet në AKP gjatë këtyre tre viteve. Ai ka pyetur edhe për çështjen e kontratave se pse nuk po zbatohen, pasi sipas tij, ka shkelje të tyre.
Për këtë, ministri Murati i është kundërpërgjigjur deputetit Hoti.
“Vetëm fakte, nëse ju thuani se fitimi i bankave e ka rrit tatimin në fitim, tregoni sa është ajo…Tek TVSh, pretendimi ishte që është rrit për shkak se është dyfishuar importi, tash është një gjë të thuhet se qytetarët nuk kanë fuqi blerëse sepse nuk kanë të ardhura dhe tjetër është të thuhet se është dyfishuar importi. Nëse qytetarët kanë rënie të të ardhurave nuk do të mund të blinin import më shumë, d.m.th janë rritur të ardhurat…Kontrollet nga qeveritë e kaluara nuk kane qenë në nivelin e duhur, dhe informaliteti ka qenë i lartë”, tha Murati.
“Nuk mundesh me çdo përgjigje ta mashtrosh opinionin, secilën përgjigje që je duke dhënë po mashtron opinionin…Është ministër i Financave, duhet me qenë më serioz, dhe jo të mashtrojë opinionin”, ka thënë Hoti.
Reagime pati edhe nga deputeti i partisë në pushtet, Eman Rrahmani.
Duke folur për shpenzimet e drekave, Rrahmani ka thënë se dy palët po nxjerrin statistika që po u konvenon.
“Të dy palët po nxjerrni statistika në krahasim em vitet që po u konvenon, ose po e marrim një vit të krahasimit për gjitha çështjet, të jemi korrekt”. tha ai.
Në anën tjetër, për raportin që prezantoi ministri, Murati, akuza pati edhe nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.
“Për besë duhet me ju ardhë keq për këtë që po thuani. Turp duhet të ju vije për mashtrimet që po boni edhe në raportim, por qytetarët po shohin ndryshe…Nuk tolerohet kështu, nuk mund të mashtrojë askënd, çdo gjë thotë qeveritë e mëparshme, çfarë ke bërë ti, thuaje një shembull, ku janë çerdhet, pagat, arsimi? Këtu vjen na shet pallavra”, tha Lekaj.