Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.
Në reagimin e AGK-së thuhet se Lëvizja Vetëvendosje e ka miratuar ligjin me kuorumin minimal, dhe pa prezencën e opozitës në sallë.
“Partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtët e shoqërisë civile e medieve, dhe ka shpërfillur Raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës, që ka konstatuar se pjesa më e madhe e Ligjit nuk i përmbushë standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës ku Kosova synon anëtarësimin. Një gjë e tillë, u theksua sot para votimit edhe nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje ka bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre”, thuhet në reagim.
Ndryshe, me 59 vota për dhe dy abstenime, është miratuar Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave. Në seancën e sotme plenare janë miratuar edhe 93 amendamentet e këtij ligji.