2 milionë e 225 mijë euro do t’i kushtojë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor hartimi i projektit kryesor për ndërtimin e digës së Pollatës në Podujevë.
Kontrata tashmë është dhënë, e nënshkrimi i saj planifikohet të bëhet të hënën. Me këtë kontratë është shpërblyer konsorciumi “Infra-Plus SH.P.K.; ES PROJE Mühendislik Müşavirlik Ltd.Şti.; CEMA ENGINEERING AND PROJECT INC”.
Në kuadër të këtij tenderi parashihet raporti fillestar, raporti lidhur me relevimin gjeologjik dhe testimet gjeomekanike, relevimi gjeodezik dhe të dhënat hidrologjike, dizajni konceptual i ndërmjetëm pa raporte llogaritëse dhe të dhëna i cili do të paraqesë paraqitjen përfundimtare të propozuar të skemës dhe raporti përfundimtar.
Kohëzgjatja e kësaj kontrae është për 16 muaj.
“Objektivi i kësaj detyre është të ofrojë shërbime inxhinierike për hartimin e projektit të detajuar-zbatimit për Hidrosistemin e digës Pollatë”, thuhet në dosje.
Aty thuhet se projekti zbatimit duhet të bëhet në përputhje me kuadrin ligjor, aktet ligjore për ujin, kërkesat nga termat e referencës, rregullat profesionale, standardet teknike të aplikueshme si dhe rekomandimet për ndërtimin dhe projektimin e objekteve inxhinierike.
“Në përgjithësi, shërbimi do të përfshijë sa vijon -Rishikimi i studimit ekzistues të fizibilitetit, projektimit paraprak dhe të dhënave dhe informacioneve të disponueshme; -Kryerja e punimeve nga hulumtimet (investigimit) e terenit ku do të ndërtohen objeket inxhinierike; -Hartimi i dokumentacionit teknik në nivelin e projektimit të detajuar-zbatimit”, theksohet në dosje.
Projekti zbatimit do të përfshijë të gjitha fazat e hartimit të projektit të zbatimit, vlerësimet teknike, llogaritjet e analizave inxhinierike (strukturave), llogaritjet e kostos dhe vizatimet teknike për digën me strukturat përkatëse.
“Në raste e informacioneve të pamjaftueshme ose sqarimeve, kompania projektuese duhet të jetë e gatshëm në dhënjen e mendimit profesional dhe të kontribuoi edhe gjatë fazës së ndërtimit të digës nëse kërkohet nga ana e investitorit”.
Tek kualifikimet e stafit, theksohet se eksperienca në vendet e Ballkanit Perëndimor ose Kosovë do të konsiderohet si avantazh.