KF Llapi është ndalur qysh në raundin e parë kualifikues në Ligën e Evropës.
Nënkampioni i Kosovës u mposht edhe në shtëpi nga skuadra polake, Wisla Krakow.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” u mbyll me rezultatin 1:2 për ekipin polak.
Në ndeshjen e parë në Poloni, Wisla Krakow kishte shënuar fitore me rezultat 2:0 dhe Llapin e priste punë mjaft e vështirë, shto këtu faktin që tifozët nuk do të lejoheshin.
Në minutën e 58-të Rodado kaloi mysafirët në epërsi, para se i inkuadruari në lojë, Ardit Tahiri të barazonte shifrat në minutën e 74-të.
Por, në minutën e 90-të, Kiakos shënoi për 1:2 dhe ia humbi tërësisht shpresat llapjanëve për rezultat pozitiv.
Kësisoj, Llapi përshëndetet nga Liga e Evropës këtë sezon, por jo nga garat evropiane.
Kjo pasi që, ekipi i drejtuar nga Tahir Batatina do të luajë tani në raundin e dytë kualifikues në Ligën e Konferencës.