Ballkani mund ta festojë titullin e kampionit të Kosovës në futboll të shtunën.
Ballkanit, të drejtuar nga trajneri Ilir Daja, i mjafton vetëm një pikë për ta fituar titullin e tretë rresht në elitën e futbollit të Kosovës. Por do t’i duhet ndeshje thuajse e përkryer për ta festuar titullin, pasi do të ballafaqohet me Llapin në Podujevë.
Ndeshja e xhiros së 35-të, përkatësisht të parafundit të edicionit 2023/2024, nis në orën 15:00 dhe luhet në stadiumin “Zahir Pajaziti”, që pritet të jetë i stërmbushur me shikues. Mbushjen e stadiumit me shikues e ka premtuar trajneri i Llapit, Tahir Batatina.
Llapi është rivali i madh i Ballkanit në garën për titull. Llapjanët janë të vendosur të mos lejojnë festë të rivalit në stadiumin e tyre.
Ballkani është në vendin e parë me 72 pikë dhe me ecuri prej 11 ndeshjeve pa humbje në të gjitha garat, me shtatë fitore e katër barazime.
Vendin e dytë e zë Llapi me 68 pikë, me seri prej katër fitoreve e dy barazimeve në gjashtë ndeshjet e fundit.
Drita ka mbetur prapa në garën për titull dhe është e treta me 66 pikë, ndërsa të shtunën luan nbaj Gjilanit që synon mbetjen në elitë pa barazh.
Trajneri Batatina i ka vlerësuar Llapin e Ballkanin si dy skuadrat më të mira aktualisht. Sipas tij, dy skuadrat kanë ofruar vazhdimisht ndeshje të mira. Trajneri i llapjanëve ka shtuar se përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe do të bëhet maksimumi për ta nxjerrë më të mirën nga kjo ndeshje.
“Djemtë janë të motivuar për ta bërë maksimumin, janë të motivuar për të luftuar 90 minuta në fushë, të japin gjithçka nga vetja. Do të jetë luftë e fortë nga të dyja skuadrat. Të dyja skuadrat i kanë projektet e veta, dy skuadrat kanë objektivat e veta dhe ne do të mundohemi ta arrijmë objektivin tonë si skuadër. Do mundohemi të shfaqim lojë të mirë. Bukuria e futbollit në këtë ndeshje është se luhet në një terren që shihet rrallë në futbollin e Kosovës. Dhe kur ndeshja luhet në një stadium me kushtet të cilat i ka Llapi mendoj se është bukuria e futbollit për tifozë dhe adhurues të sportit. Do të presim edhe shumë mysafirë të cilët na përcjellin nga jashtë dhe do të vijnë të na përcjellin në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’. Kemi shumë kërkesa”, ka thënë Batatina. Ai ishte i matur në parashikime për kryendeshje.
“Do të jetë një derbi, një derbi që ndoshta do të jetë më i miri i këtij kampionati”, është shprehur Batatina.
I vetëdijshëm për udhëtimin e vështirë është kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç. Kuç, megjithatë ka thënë për KOHËN se skuadra duhet t’u tregoi të gjithëve se pse e meriton titullin e kampionit.
“Jemi të sigurt se na pret një ndeshje e vështirë, jemi të vetëdijshëm që një rezultat pozitiv do të na sjellë titullin. Ne e respektojmë kundërshtarin, por më shumë e respektojmë veten. Duam ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të arrijmë suksesin historik, duke fituar kampionatin dhe Kupën. Kemi përvojë të luajmë ndeshje të vështira. Kemi 5 vjet që luftojmë deri në fund për trofe. Jemi dy herë kampionë, kështu që nuk ka vend për panik. E kemi treguar shumë herë se jemi ekipi më i mirë në Kosovë. Shpresoj që të shtunën të jetë e njëjta gjë”, ka thënë Kuç.
Përveç titullit, Ballkani është në garë për të triumfuar edhe në Kupën e Kosovës.
Në ndeshjet e ndërsjella të edicionit aktual, secila skuadër e ka nga një fitore, ndërsa ballafaqimi i fundit i zhvilluar në Suharekë, ishte mbyllur pa gola.
Ballkani do të luajë kundër Prishtinës në finalen e Kupës më 22 maj në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
Nëse Ballkani e fiton edhe Kupën, atëherë do të përfitonte Malisheva e vendit të katërt. Në të kundërtën, do të ishte Prishtina ajo e cila do të avanconte në garat evropiane për edicionin e ardhshëm.
Prishtina të shtunën do të luaj kundër Fushë Kosovës, ndërsa Malisheva e pret Lirinë. Feronikeli 74 takohet me Dukagjinin.