Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka rënë në kurthin e politikes luftënxitëse të Serbisë, e duke krijuar hapësira dhe lehtësira për të kryer sulme terroriste mbi vendin tonë.
Duke folur për sulmin terrorist në Banjskë një vit më parë e ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, Limaj ka thënë se Serbia asnjëherë nuk i ka fshehur pretendimet e saj për territorin e Kosovës.
“Ishte një agresion i hapur në vepër i Serbisë. Siç e dini Serbia nuk e ka fshehur pretendimet e saj drejtim të Kosovës, pretendimet armiqësore hapur punon vepron në vazhdimësi për ta rrënuar krejt çka është ndërtuar në shtetin e Kosovës dhe këto e kanë politikë qytetarë mirëpo një vit më parë ishte një hap konkret me vepër agresioni i armatosur në drejtim të një shteti të pavarur, për të krijuar një momentum tjetër për të provokuar një luftë ose një konflikt të hapur në këtë pjesë të Ballkanit. Kjo tregon që shteti serb jo vetëm që nuk ka hequr dorë e nuk ndihet fajtor për të gjithë ata që ka bërë në drejtim të Kosovës dhe vendeve të tjera në ish-Jugosllavi, por përkundrazi ata e udhëheqin politikën e tyre militariste shoviniste në drejtim të Kosovës”, ka thënë Limaj.
Kreu i Nismas ka kritika edhe për mosjellje para drejtësisë kryerësit e sulmit terrorist në Banjskë. Madje, ka thënë se terroristët kanë gjetur strehë në Serbi.
“Fatkeqësisht Qeveria e Kosovës duke njohur këtë që thash sepse kjo është publike sjellja e Beogradit, dhe raporti i Beogradit me Kosovën. Qeveria e Kosovës në shumë drejtime ka rënë në kurthin e kësaj politike luftënxitëse nga Serbia, në shumë drejtime ka krijuar hapësira dhe ia ka lehtësuar Serbisë për të hyrë në veprime konkrete për të marrë guximin Serbia për të kryer agresion. Imagjinoi tash e një vit Vuçiqi ka bërë agresion në Kosovë, as nuk është izoluar, as gjykuar dhe as nuk është vënë në sanksione. Por e kundërta tash e një vit mbas Banjskës ata të cilët e kanë bërë sulmin ai i ka në Serbi, shëtitën lirshëm, kanë pranuar publikisht veprimet këtu, për më tepër Vuçiqi jo vetëm që nuk është ndëshkuar e as nuk ka kërkuar falje. Ai ka shpallur ditë zie për terroristët që kanë bërë atak ndaj një shteti të pavarur”, u shpreh Limaj.
Limaj ka thënë se rasti “Banjska” ka një parahistori, por që “Qeveria e Kosovës me veprimet e saj aventureske ka krijuar hapësira për këtë rast”.
“Krejt kjo që ka ndodhur Serbia nuk ka pasur asnjë ndëshkim, ndërsa Kosova është në sanksione, pozicioni i Kosovës është më keq se çdoherë në arenën ndërkombëtare, në Serbi hynë dhe dalin personalitet më të larta shtetet evropiane mbas Banjskës. Shkojnë e vizitojnë nuk kemi një qëndrim të qartë publik të akuzimit të shtetit serb për ata që ka bërë dhe kjo krejt tregon diçka që nuk ka qenë në rregull tek ne. Nuk mundemi ne të shohim vetëm këtë që përmenden në njërën anë a thua faktori ndërkombëtarë po i ledhaton atë regjim terrorist atje, e ne jemi të pafajshëm diçka ka ndodhur tek ne. Banjska ka një parahistori që fatkeqësisht Qeveria e Kosovës me veprimet e saj aventureske të nxitura ka krijuar hapësira dhe mundësi për atë që bëri Vuçiqi më pastaj në Banjska”, u shpreh tutje Limaj.
“Njëkohësisht Qeveria e Kosovës e humbi hapin me partnerët tanë për të pasur një qëndrim dhe pozicion të tillë që çfarëdo veprimi të Serbisë do të ishte një situatë tjetër nëse qeveria do të ishte me e kujdesshme, më e urtë dhe më racionale. Hapat e saj për të bashkëbiseduar dhe të trajtuar mirë me parterët tanë, sidomos me të sigurisë, jam i bindur që krejt ndryshe do të shihet nga partnerët ndërkombëtarë të kishte një sjellje ndryshe nga Qeveria e Kosovës. Ky është realiteti fatkeqësisht ka ndodhur Banjska janë vrarë njerëz, kemi një hero në vendin tonë që doli që vdekja e Afrim Bunjakut ishte një momentum ku e çmontoi skenarin serb, të cilët ishin përgatitur ata për ta bërë në Kosovë atë ditë. Një vit pas vazhdon sikur mos të ndodhte asgjë në Beograd nuk kemi asnjë masë në drejtim të Serbisë”./eo