Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Smajl Latifi ka deklaruar se duhet të rritet bashkëpunimi me partnerët tanë ndërkombëtar në mënyrë që sa më parë vendi të anëtarësohet në NATO.
Latifi ka thënë se anëtarësimi në NATO është i rëndësishëm për Kosovën, pasi që sipas tij, siguria në vend është e brishtë.
“Duhet të rritet bashkëpunimi me partnerët tanë, me ata që na kanë ndihmuar në ditë të vështira dhe po na ndihmojnë edhe sot dhe duhet të adresojmë qartë shqetësimet dhe nevojat, por edhe interesat që ka Kosova si një pjesë e rëndësishme e Evropës dhe ku situata përreth saj e sigurisë është e brishtë, prandaj kemi shumë nevojë që të punojmë më shumë me partnerët dhe të kontribuojmë bashkë që sa më shpejtë se është e mundur të hymë në NATO”, ka thënë Latifi.
Në kuadër të prezantimit të projekteve në Komunën e Rahovecit, Latifi ka folur edhe për realizimin e projekteve në kuadër të bashkëpunimit ndërqeveritar me Shqipërinë.
“Ne kemi edhe projekte konkrete, investime në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitarë. E kemi dy projekte me çarkun e Kukësit dhe kjo është një e mirë, por ka edhe plot të mira të tjera që dëshmojnë bashkëpunimin ndër vëllazërorë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”, ka theksuar Latifi./kp