Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për ngecjet në dialogun për normalizim mes të dyja vendeve duke thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka strehuar udhëheqësin e grupit terrorist të Banjskës, Milan Radoiçiq.
Madje ai ka kritikuar edhe ndërmjetësit për mos ushtrim të rolit të tyre.
“Radoiçiqi është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi dhe i financuar nga Serbia. Si është e mundur t’i thonë po Marrëveshjes së Ohrit, por refuzojnë ta nënshkruajnë?” ka thënë ai, në një intervistë për “Politico.eu”.
Kurti ka fajësuar edhe diplomatët e Bashkimit Evropian, përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme, Josep Borrell, dhe emisarin për dialog, Miroslav Lajçak.
Ky portal shkruan se pavarësisht se ndanë të njëjtën tryezë në Bruksel javën e kaluar, dy liderët ballkanikë nuk folën drejtpërdrejt.
“Problemi është se zotërinjtë Borrell dhe Lajçak nuk i bien bilbilit kur ka shkelje. Paramendojeni një gjyqtar që sillet në fushën e futbollit pa bilbil. Kur ai flet, unë nuk ndërhyj. Sa herë që flas, ai ankohet”, ka thënë Kurti për Aleksandar Vuçiq.