Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.
Përmes një komunikate për media, zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi në ekonomi, siguri e integrime euroatlantike.
“Në takimin e tyre të dytë gjatë këtij viti, pas atij në Ankara në muajin maj, kryeministri Kurti dhe ministri Fidan vazhduan diskutimet mbi marrëdhëniet dypalëshe të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë dhe për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, sigurisë, mbrojtjes dhe integrimeve euroatlantike”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq bëhet e ditur se Kurti e ka falënderuar ministrin për partneritetin në ngritjen e kapaciteteve në siguri dhe mbrojtje.
“Mirënjohës për vizitën dhe bashkëpunimin e afërt të tij, kryeministri i shprehu falënderim të veçantë ministrit Fidan për partneritetin në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes, për rolin kontribues të Turqisë për paqe në Kosovë dhe rajon përmes misionit të NATO-s, KFOR dhe për mbështetjen e pakushtëzuar të saj në aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Të dy u shprehën të përkushtuar në thellim të raporteve dhe partneritetit strategjik”, thuhet tutje në komunikatë. /TelegramNews/