Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Serbia të dorëzojë vrasësit e aktivistit Enver Hadri pas konfirmimit të dënimit të tyre nga Gjykata Penale në Bruksel të martën.
Për konfirmimin e dënimit të vrasësve të Hadrit, Kurti theksoi se ky është triumf i drejtësisë, por kërkoi që ky proces të kompletohet me dorëzimin e autorëve nga Serbia.
“Ky konfirmim i sistemit të drejtësisë së Belgjikës për dënimet paraprake me burgim të përjetshëm për vrasësit e Enver Hadrit, është një triumf i drejtësisë që për t’u kompletuar, do të duhej të pasohej nga bashkëpunimi i autoriteteve të Serbisë duke i dorëzuar këta tre vrasës te autoritetet e Belgjikës”, ka shkruar Kurti ndër të tjera.
“Fatkeqësisht, ashtu sikurse gjykimi fillestar edhe shqyrtimi i ankesave të dy nga tre të dënuarit, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, u zhvillua në një proces gjyqësor në mungesë të tre të akuzuarve dhe të dënuarve, pasi që autoritetet e Serbisë kanë refuzuar t’i dorëzojnë ata te autoritetet e drejtësisë në Belgjikë. Të porositur nga shërbimi serb i zbulimit, Veselin Vukotiq, Andrija Drashkoviq dhe Bozhidar Spasiq, në bashkëkryerje kishin qenë pjesë e ekzekutimit të atentatit ndaj Enver Hadrit. Për përfshirje në vrasjen e Hadrit, kanë qenë të dyshuar edhe disa të tjerë, dy prej të cilëve qenë vrarë në konflikte mes grupesh kriminale serbe më vonë. Me këtë rast, për kurajon e tyre që të kërkojnë drejtësi në Gjykatën e Apelit në Bruksel, u shpreh konsideratat e mia familjes Hadri”, shkroi tutje Kurti.