Kryeministri i vendit, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka folur edhe për intervistimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu nga Prokuroria Speciale lidhur me deklaratat e saj për të arratisurit nga burgjet e Kosovës.
Kurti tha se Prokurorisë nuk i kanë mjaftuar 10 muaj, për sulmin në Banjskë, por sipas tij, nuk iu deshën më shumë se 10 orë për ta marrë në pyetje ministren Albulena Haxhiu.
“Sot janë bërë fiks 10 muaj nga vrasja e heroit Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveqanit, në mbrojtje të ligjshmërisë së vendit dhe të integritet të Republikës. Në Kosovë ende nuk është ngritur aktakuzë ndaj Milan Radoiçiqit dhe terroristëve të tjerë të grupit të tij, nga ana e sistemit tonë të drejtësisë. Në Serbi, Radoiçiqi është i lirë. Prokurorisë sonë nuk i kanë mjaftuar 10 muaj, por nuk iu deshën më shumë se 10 orë për ta marrë në pyetje ministren tonë të Drejtësisë, Albulena Haxhiun për një postim në Facebook”, tha kryeministri./TelegramNews./