Kryesia e Kuvendit është mbledhur sot për të caktuar seancën e radhës e cila do të mbahet këtë të enjte. Pas përfundimit të mbledhjes nga opozita kritikuan ekzekutivin për mungesë të agjendës legjislative. Ndërsa, të njëjtit folën edhe për takimin e 26 qershorit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq.
Përfaqësuesit e opozitës thanë se nuk presin rezultate nga ky takim.
“Të enjten do të ketë seancë të rregullt dhe kuvendi do t’i kthehet punimeve. Në agjendë do të jenë ligje të rëndësishme. Ka qenë kërkesë e deputetëve që salla e kuvendit të digjitalizohet dhe kërkohen disa muaj që të zbatohet një projekt i tillë. Ne nuk mund të presim dhe kuvendi duhet të mblidhet. E rëndësishme është që të funksionojmë paralelisht. Sa i përket dialogut, vit pas viti Serbia ka paraqitur rolin e saj destruktiv. Kosova duhet të manifestoj qëllimin e saj që të jetë e gatshme që t’i zbatojë detyrimet e marrëveshjes. Unë pres që Bashkimi Evropian t’ia heq masat Kosovës dhe të ketë detyrime për Serbinë” , tha deputeti i LVV-së, Armend Muja.
Mirëpo, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri tha se nuk mund të priten rezultate nga takimi i 26 qershorit
“Ishte një periudhë e pushimeve edhe pse nuk do të duhej të ishim në pushim. Mirëpo mungesa e agjendës parlamentare ka bërë që për një kohë të mos takohemi. Vendit i duhet një qeveri e re për ta nxjerrë nga kjo krizë. Ndërsa, që dy vite e gjysmë produktet e kryeministrit Kurti në dialog i kemi parë. Nuk mund të presim që do të del diçka jashtë këtyre temave në takimin e rradhës”, tha ai.
Nga LDK kërkuan nga qeveria që të jetë e përgjegjshme në dialogun me shtetin serb.
“Qeveria të jetë e përgjegjshme me atë se çfarë do të bëjë tutje. E përgjegjshme për marrëveshjet që janë të përkrahura nga institucionet e Kosovës”, tha deputeti i LDK-së, Armend Zemaj./rtk